Pekini: Në ngushticën e Tajvanit nuk ekzistojnë të ashtuquajturat "ujëra ndërkombëtare"
2024-03-13 20:37:43

Zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit të Kinës Chen Binhua i hodhi poshtë të mërkurën në një konferencë shtypi të organizuar në Pekin pretendimet për ekzistencën e të ashtuquajturave "ujëra ndërkombëtare" në ngushticën e Tajvanit.

Foto:VCG

Zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të qeverisë kineze, Chen Binhua(Foto:VCG)

"Të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit i takojnë Kinës dhe Kina ka sovranitet e të drejta sovrane dhe kontrolli mbi to. Sipas Konventës së OKB-së mbi Ligjin Detar dhe ligjit kinez, ujërat e ngushticës së Tajvanit kategorizohen në ujëra të brendshme të Kinës, ujëra territoriale të Kinës, territor ngjitur dhe zona të posaçme ekonomike. Nuk ekzistojnë të ashtuquajturat 'ujëra ndërkombëtare'. Në fakt, në ligjin detar ndërkombëtar ky koncept nuk ekziston," tha ai.

Më 14 shkurt, dy peshkatarë nga pjesa kontinentale e Kinës humbën jetën për shkak të përmbysjes së anijes së tyre gjatë një përplasjeje keqdashëse prej një anijeje patrullimi të rajonit të Tajvanit. Pas këtij incidenti, autoritetet e Tajvanit të drejtuara nga Partia Demokratike Progresive, iu bashkuan pretendimeve të palës amerikane për të ashtuquajturat "ujëra ndërkombëtare" në ngushticën e Tajvanit, duke thënë se pjesa kontinentale e Kinës përpiqet ta shndërrojë ngushticën e Tajvanit në ujëra të brendshme, gjë që pengon të ashtuquajturin "lundrim të lirë" dhe transportin e tregtinë globale. Ato synojnë të përfshijnë më shumë forca të jashtme për të ndërhyrë në ngushticën e Tajvanit, për ta ndërkombëtarizuar këtë çështje.

Kur iu kërkua të komentonte lidhur me këtë, Chen Binhua vuri në dukje në konferencën e shtypit se, sipas neneve përkatëse të Konventës së OKB-së mbi Ligjin Detar, anijet e vendeve të tjera "mund të kalojnë pa dëme" një pjesë të ujërave detare të ngushticës së Tajvanit, duke shtuar se ngushtica ka qenë gjithmonë një ndër kanalet më të ngarkuara të transportit dhe tregtisë globale. “Autoritete tajvaneze të drejtuara nga Partia Demokratike Progresive, për të fituar mbështetje të jashtme lidhur me 'pavarësinë' e ishullit, kanë shitur interesat kombëtare, duke bashkëpunuar me forca të huaja për të trumbetuar thëniet që shtrembërojnë të vërtetën. Veprimet e tyre janë të paturpshme dhe do t'i sjellin dëme të mëdha Tajvanit," theksoi zëdhënësi.(Zhang Yan/Artan)