MPJ: Kina do të vijojë rolin konstruktiv për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës
2024-03-13 11:52:00

Foto nga MPJ

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin foli të martën në një konferencë shtypi mbi raundin e dytë të diplomacisë ndërmjetësuese të palës kineze për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës. Ai tha se pala kineze do të vazhdojë të nxitë bisedimet e paqes dhe do të luajë rol konstruktiv për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës.

Wang Wenbin-i u shpreh se, nga 2 deri më 12 mars, Li Hui, i dërguar i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet euraziatike, vizitoi Rusinë, selinë e BE-së, Poloninë, Ukrainën, Gjermaninë e Francën. Li zhvilloi me palët përkatëse bisedime, shkëmbeu mendime, kreu ndërmjetësim e përcolli informacione lidhur me zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës. Palët i kushtuan rëndësi vizitës së Li Hui-t dhe vlerësuan përpjekjet e Kinës.

Kriza e Ukrainës ka ardhur duke u përshkallëzuar përgjatë më shumë se dy vjetëve që nga fillimi i saj, tha Wang, duke shtuar që, gjatë këtyre më shumë se dy vjetëve, pala kineze ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të drejtë, ka bërë përpjekje për ndalimin e luftës dhe ka krijuar kushte për bisedimet e paqes.

“Tani lufta po vazhdon dhe situata përballet me rrezikun e përshkallëzimit. Gjëja më urgjente është rivendosja e paqes. Pala kineze shpreson sinqerisht që të gjitha palët e përfshira do të nxitin zbutjen e situatës dhe do të bëjnë së bashku përpjekje për të arritur sa më parë një armëpushim dhe për të krijuar një kornizë të sigurisë së Europës që është e balancuar, efektive dhe e qëndrueshme. Kina do të vazhdojë të këmbëngulë në nxitjen e bisedimeve të paqes dhe do të luajë rol konstruktiv për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës," u shpreh zëdhënësi i diplomacisë kineze.  (Çang Çuo)