Ekspertët: OJQ-të kineze ndihmojnë në nxitjen e të drejtave të njeriut dhe përmirësimin e qeverisjes globale
2024-03-13 14:22:15

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Organizatat joqeveritare (OJQ) të Kinës luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e zhvillimit të të drejtave të njeriut, si edhe në reformën dhe përmirësimin e sistemit të qeverisjes globale, tha të martën një grup ekspertësh në një veprimtari mbi "Nxitjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet bashkëpunimit të OJQ-ve", të zhvilluar në kuadër të sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë të Zvicrës.

 Zhu Guijie, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Shoqatës Kineze të Mirëkuptimit Ndërkombëtar, u shpreh se OJQ-të kineze kanë ndihmuar në nxitjen e zhvillimit të kauzës së të drejtave të njeriut në Kinë.

Në të njëjtën kohë, ato kanë marrë pjesë gjerësisht në veprimtari ndërkombëtare, si Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së dhe Konferenca e OKB-së për Ndryshimin Klimatik, duke nxitur reformimin dhe përmirësimin e sistemit të qeverisjes globale nga një perspektivë joqeveritare, shtoi Zhu. 

Li Juan, kërkues në Qendrën e Studimit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit Qendror-Jugor të Kinës, u shpreh se OJQ-të kineze kanë luajtur një rol të pazëvendësueshëm në nxitjen e mbrojtjes së të drejtave dhe zhvillimit të qëndrueshëm. 

Në një kohë kur po rriten tensionet globale, bashkëpunimi më i ngushtë ndërkombëtar ndërmjet OJQ-ve mund të kontribuojë ndjeshëm në ndërtimin e një bote më të drejtë, më të barabartë e më të qëndrueshme, theksoi Li.

Wei Dandan, ndihmëssekretare e Fondacionit Kinez për Zhvillimin Rural, dha shembuj për të ilustruar se si organizata e saj ka ndihmuar në zbutjen e varfërisë dhe nxitjen e zhvillimit të shtresës me të ardhura të ulëta. Ajo bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar lidhur me uljen e varfërisë globale dhe qëndrueshmërinë.