"Apple" do të zgjerojë laboratorin e kërkimit të aplikuar në Kinë për të testuar teknologjinë "Vision Pro "
2024-03-13 20:10:30

Gjiganti teknologjik amerikan "Apple" njoftoi të martën se do të zgjerojë laboratorin e tij të kërkimit të aplikuar në Shangai, ndërsa këtë vit do të ngrejë edhe një laborator të ri në Shenzhen për të përmirësuar aftësitë e testimit dhe kërkimit për produkte të tilla si "Vision Pro", "iPhone" dhe "iPad". 

Foto:VCG

Një dyqan i Apple-it në Shangai(Foto:VCG)

"Apple" tha se ka investuar në tërësi 1 miliard juanë (rreth 140 milion dollarë) për ndërtimin e laboratorive të kërkimit të aplikuar në Kinë. Tani, kjo kompani ka qendra kërkimi dhe zhvillimi në Pekin, Shanghai, Suzhou dhe Shenzhen. Gjatë pesë vjetëve të fundit, përmasa e ekipit të kërkimit dhe zhvillimit të "Apple"-it në Kinë është dyfishuar. Laboratorët në Shangai dhe Shenzhen do të mbështesin prodhimin inteligjent, së bashku me besueshmërinë, cilësinë dhe analizën materiale të produkteve, duke ofruar burime për ekipin global të inxhinierisë dhe projektimit, sipas Isabel Ge Mahe, zv.presidente dhe drejtore menaxhuese për Kinën e "Apple"-it.

Foto:VCG

Konsumatorë në një dyqan të Apple-it në Pekin(Foto:VCG)

"Apple" ka punuar lidhur me zhvillimin në Kinë për më shumë se 30 vjet. Të dhënat tregojnë se 151 ndër 200 furnizuesit kryesorë të kompanisë kanë veprimtari prodhimi në Kinë. "Apple" do të përurojë dyqanin e vet të tetë në Shangai këtë muaj, duke e zgjeruar rrjetin e vet në Kinë, i dyti vetëm pas ShBA-së, përkundër sfondit të ngadalësimit të shitjeve të "iPhone"-ëve në tregun kinez, raportoi "Bloomberg" të hënën.

Foto:VCG

Vision Pro(Foto:VCG)

Dyqani, që planifikohet të hapet më 21 mars, do të quhet "Apple Jingan" dhe do të jetë midis 47 të tillave të përhapura anembanë Kinës, një vend me një popullsi prej 1.4 miliard banorësh. "iPhone" ka përjetuar një rënie të shitjeve në Kinë pas nxjerrjes së modelit të tij të fundit në shtator. Megjithëkëtë, Kina vazhdon të jetë një treg kyç, me numrin më të madhe të përdoruesve të telefonave të zgjuar në botë dhe me një potencial të ndjeshëm për rritjen e shitjeve të pajisjeve të ekosistemit, sipas raportit.(Artan)