Këshilli i Shtetit i Kinës thekson detyrat kryesore për vitin 2024
2024-03-13 19:32:00

Këshilli i Shtetit i Kinës shqyrtoi e miratoi planet për realizimin e detyrave kryesore të tij këtë vit, gjatë një mbledhjeje ekzekutive të martën, të drejtuar nga kryeministri kinez Li Qiang. 

Foto:VCG

Foto:VCG

Në mbledhje u miratuan gjithashtu udhëzimet për shtimin e prodhimit të drithërave në Kinë dhe nxitjen e rritjes ekonomike me cilësi të lartë nëpërmjet përmirësimit të standardeve. Pjesëmarrësit dëgjuan një raport mbi sigurimin e zhvillimit me cilësi të lartë e të ekuilibruar të arsimit të detyrueshëm, si edhe shqyrtuan e miratuan rregulloret mbi pensionet dhe trajtimin preferencial të familjeve të ushtarakëve të ndarë nga jeta ose të ushtarakëve me aftësi të kufizuara. 

Kryeministri Li Qiang theksoi se raporti i punës së qeverisë i paraqitur në sesionin e dytë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, organi më i lartë ligjvënës i Kinës, ka vendosur objektivat e detyrat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror për këtë vit, duke vënë në dukje se duhet bërë më shumë për të hartuar masa e politika të detajuara për të zbatuar detyrat kryesore.

Foto:VCG

Foto:VCG

Mbrojtja e sigurisë ushqimore është një përparësi kryesore dhe duhet të bëhen përpjekje për të lehtësuar zbatimin e projekteve të mëdha, të tilla si krijimi i tokave bujqësore me standard të lartë dhe ringjallja e industrisë së farërave, u vu në dukje në këtë mbledhje. 

Në lidhje me lehtësimin e përmirësimit të standardeve, Li kërkoi të bëhen përpjekje për të nxitur formulimin e rishikimin e këtyre standardeve, për të kërkuar opinione nga ndërmarrjet e konsumatorët dhe për t'i paraqitur në kohën e duhur, për të çuar edhe më përpara zhvillimin me cilësi të lartë. 

Foto:VCG

Foto:VCG

Mbledhja theksoi gjithashtu nevojën për të vënë në fokus përmirësimin e kushteve të shkollave, cilësinë e arsimit dhe kënaqësinë e njerëzve, duke ngushtuar hendekun në fushën arsimore ndërmjet rajoneve, zonave urbane e rurale, shkollave e grupeve të ndryshme. Duhet të bëhen përpjekje për të siguruar përshtatjen e arsimit të detyrueshëm ndaj ndryshimeve demografike dhe përparimit të urbanizimit të ri, forcimin e elastacitetit e të përshtatjes së shpërndarjes së burimeve dhe shtimin e shpenzimeve fiskale në hallkat e dobëta të arsimit të detyrueshëm , sipas mbledhjes. (Artan)