OKB: Të paktën 63 gra vriten çdo ditë në Gaza
2024-03-11 10:42:11

Foto nga VCG

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) njoftoi se mesatarisht 63 gra në ditë vriten në sulmet e Izraelit në Gaza, 37 prej të cilave janë nëna që kanë lënë familjet e tyre, shkruan “ATSH”.

“Më 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gratë në Gaza vazhdonin vuajtjen nga pasojat e kësaj lufte brutale”,- shkroi UNRWA në platformën “X”.

Sipas kësaj organizate, të paktën 9 mijë gra janë vranë në sulmet izraelite dhe shumë të tjera kanë mbetur nën rrënoja.

“Mesatarisht 63 gra në ditë vriten në sulmet e Izraelit në Gaza, 37 prej të cilave janë nëna që kanë lënë familjet e tyre”,- bëri të ditur agjencia e OKB-së.

Të paktën 30.800 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës dhe rreth 73 mijë të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit të gjerë në enklavën bregdetare.    (Fatosi)