I dërguari kinez: Përshkallëzimi i krizës së Ukrainës, jo në interes të Kinës e Gjermanisë
2024-03-11 19:33:10

Foto: Përfaqësuesi i posaçëm i Qeverisë Kineze për Çështjet Euraziatike Li Hui (majtas) shtrëngon duart me Thomas Bagger, sekretarin e shtetit të Zyrës së Jashtme Federale të Gjermanisë, në Gjermani, 9 mars 2024. / Ministria e Jashtme Kineze 

Konflikti Rusi-Ukrainë rrezikon të përshkallëzohet më tej dhe kjo nuk është në përputhje me interesat e bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë Kinën dhe Gjermaninë, tha të shtunën përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet euraziatike Li Hui. 

Pala kineze është e gatshme të punojë me palën gjermane për thirrjen e një konference paqeje në një kohë të përshtatshme, me pjesëmarrjen e barabartë të të gjitha palëve, duke hapur rrugën për arritjen sa më parë të një armëpushimi, theksoi Li gjatë bisedimeve me sekretarin e shtetit të Zyrës së Jashtme Federale të Gjermanisë Thomas Bagger.

Të dy palët shkëmbyen pikëpamje të sinqerta e të thelluara mbi marrëdhëniet Kinë-Gjermani, krizën ukrainase, procesin e paqes dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. 

Li e informoi gjithashtu palën gjermane rreth diplomacisë së tij të ndërmjetësimit me zyrtarët rusë, ukrainas e evropianë, për të përçuar mesazhe dhe për të krijuar konsensus gjatë javës së kaluar. 

Nga ana e tij, Bagger shprehu vlerësim për rolin pozitiv të Kinës në nxitjen e zgjidhjes politike të krizës ukrainase dhe për përpjekjet e z. Li në zhvillimin e diplomacisë së ndërmjetësimit.

Ai tha se Gjermania ka shumë mendime të përbashkëta me Kinën rreth gjendjes të tanishme të krizës, hapave të ardhshëm e perspektivave për bisedimet e paqes dhe është e gatshme të vazhdojë komunikimin me Kinën. 

I dërguari i posaçëm kinez arriti në Moskë të shtunën e kaluar për të filluar raundin e dytë të diplomacisë së ndërmjetësimit lidhur me krizën e Ukrainës. 

Ai vizitoi gjithashtu Brukselin, selinë e Bashkimit Evropian, Poloninë dhe Ukrainën. 

Li do të shkojë edhe në Francë përpara se të përfundojë turneun e vet evropian.(Artan)