Tregtia e jashtme e Kinës në mallra u rrit me 8.7 për qind në janar-shkurt
2024-03-08 14:48:28

VCG

VCG

Importet dhe eksportet totale të mallrave të Kinës u rritën me 8.7 për qind në dy muajt e parë të vitit, treguan të dhënat zyrtare të enjten.

Nga janari deri në shkurt, tregtia e jashtme e vendit në mallra ishte 6.61 trilionë juanë (rreth 930.96 miliardë dollarë amerikanë), sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave, citon “Xinhua”.

Eksportet u rritën 10.3 për qind në 3.75 trilionë juanë, ndërsa importet u rritën 6.7 për qind nga e njëjta periudhë e vitit 2023 në 2.86 trilionë juanë, treguan të dhënat.

Në dy muajt e parë, tregtia e mallrave në vend vazhdoi vrullin rritës të tremujorit të katërt të vitit të kaluar. Sipas të dhënave, bizneset private kanë luajtur një rol më të madh në nxitjen e rritjes së tregtisë së jashtme të mallrave. Gjatë kësaj periudhe, vlera e tregtisë së sipërmarrjeve private ka zënë 54.6 për qind të totalit, me 4.2 pikë përqindje më shumë nga e njëjta periudhë e vitit 2023, ndërsa ajo e sipërmarrjeve me investime të huaja përbën 29 për qind.

VCG

VCG

Të dhënat e së enjtes zbuluan gjithashtu një rritje në importet dhe eksportet e Kinës drejt Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe Shteteve të Bashkuara.

Në dy muajt e parë, tregtia e Kinës me partnerin e saj më të madh tregtar, ASEAN, u rrit 8.1 për qind në baza vjetore në 993.24 miliardë juanë, duke përbërë 15 për qind të vlerës totale tregtare të vendit.

Tregtia e mallrave e vendit me partnerin e tretë tregtar më të madh, Shtetet e Bashkuara, u rrit 3.7 për qind në 707.7 miliardë juanë gjatë periudhës, ndërsa ajo me Bashkimin Europian, partneri i dytë tregtar më i madh, ra me 1.3 për qind. (Elona)

VCG

VCG