Deputeti i AKP-së: Kina forcon përfshirjen duke nxitur angazhimin politik të personave me aftësi të kufizuara
2024-03-08 18:31:35

Foto nga VCG

Kina ka promovuar në mënyrë aktive pjesëmarrjen politike të personave me aftësi të kufizuara, duke synuar integrimin e tyre të barabartë dhe përfshirës në shoqëri, tha Wang Yongcheng, deputet në Asamblenë e 14-të Kombëtare Popullore të Kinës (AKP), në Korridorin e Deputetëve në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin të premten.

Nga afro 3 000 deputetë që filluan mandatin e tyre 5-vjeçar në vitin 2023, Wang është deputeti i vetëm me dëmtim të shikimit, por kjo nuk e ka penguar në përmbushjen e detyrave të tij.

"Në mbledhjen e këtij viti të AKP-së, u bënë rregullime të veçanta për të më siguruar dokumentet e konferencës në alfabetin 'Braille', duke më mundësuar që t'i lexoja me lehtësi," tha Wang. "Këto detaje të menduara jo vetëm eliminuan pengesat në përmbushjen e detyrave të mia, por gjithashtu më bënë të ndiej kujdesin dhe interesimin e vendit e të shoqërisë sonë ndaj individëve me aftësi të kufizuara. Nëpërmjet masave të tilla përfshirëse personat me aftësi të kufizuara mund të marrin pjesë aktive në jetën shoqërore, të përjetojnë barazi më të madhe dhe të ndajnë arritjet e zhvillimit tonë shoqëror."

Foto nga VCG

Wang u shpreh gjithashtu: "Unë e kuptoj që roli im shtrihet përtej përfaqësimit të zërit të personave me aftësi të kufizuara në AKP. Ai ka të bëjë gjithashtu me përcjelljen e kujdesit dhe të dashurisë së Partisë e të popullit te komuniteti më i gjerë i personave me aftësi të kufizuara." (Çang Çuo)