BE dënon vendimin e Izraelit për ndërtime të tjera në Bregun Perëndimor
2024-03-08 14:54:33

CFP

CFP

Bashkimi Evropian ka dënuar vendimin e Komitetit për Planifikim të Lartë të Izraelit që planifikon të ndërtojë mijëra shtëpi në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke zgjeruar edhe më tej vendbanimet ilegale, sipas ligjit ndërkombëtar, në këtë territor, shkruan “Panorama”.

Përmes një deklarate, blloku evropian i bëri thirrje Izraelit që ta zhbëjë këtë vendim.

“BE-ja përsërit se vendbanimet janë ilegale sipas ligjit ndërkombëtar dhe përbëjnë pengesë për paqe pasi ato kërcënojnë zgjidhjen me dy shtete”,- bëhet e ditur në deklaratë, ku theksohet se ky vendimi është në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet.

“Qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar: ne nuk do të njohim asnjë ndryshim në kufijtë para vitit 1967, përfshirë ndryshimet lidhur me Jeruzalemin”, thuhet në deklaratë.

Ministri i Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, muajin e kaluar ishte zotuar se do të zgjeroheshin vendbanimet në përgjigje të një sulmuesi të armatosur palestinez që vrau një civil izraelit dhe plagosi disa të tjerë në Bregun Perëndimor.

Mbikëqyrësi i vendbanimeve izraelite, “Peace Noë”, bëri të ditur se 3426 shtëpi janë planifikuar që të ndërtohen në lindje të Jeruzalemit dhe në Efrat, në jug të qytetit.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës gjatë luftës arabo-izraelite më 1967-s dhe vendbanimet në territoret palestineze konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. (Elona)