Udhëheqësit e lartë kinezë marrin pjesë në diskutime në sesionin e AKP-së
2024-03-08 11:53:03

Xinhua

Xinhua

Udhëheqësit e lartë kinezë Wang Huning dhe Ding Xuexiang, të dy anëtarë të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), morën pjesë të enjten në diskutimet në sesionin e dytë të legjislaturës së 14-të të organit më të lartë ligjvënës në Kinë, Asamblesë  Kombëtare Popullore (AKP).

Wang, kryetar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, mori pjesë në diskutimet me deputetët e AKP-së nga delegacioni i Tajvanit.

Gjatë diskutimeve, Wang tha që, nën udhëheqjen e fortë të Komitetit Qendror të PKK-së me shokun Xi Jinping në krye, punët lidhur me Tajvanin kanë qenë efektive gjatë vitit të kaluar në ruajtjen e qëndrueshmërisë së përgjithshme në ngushticën e Tajvanit dhe forcimin e nismës strategjike për ribashkimin e plotë të Kinës.

Ai theksoi rëndësinë e përparimit të palëkundur të kauzës së ribashkimit kombëtar dhe të kundërshtimit me vendosmëri të lëvizjeve separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" e të ndërhyrjes nga forcat e jashtme.

Zëvendëskryeministri Ding Xuexiang iu bashkua të enjten diskutimeve të delegacioneve të deputetëve të AKP-së përkatësisht nga Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong-Kongut dhe Rajoni i Posaçëm Administrativ i Makaos 

Xinhua

Xinhua

Duke vënë në dukje se është bërë përparim i ri madhor në zbatimin e politikës "Një vend, dy sisteme", Ding tha se Hong-Kongu ka hyrë në një fazë të re, në të cilën ka rivendosur rendin dhe është në rrugën e lulëzimit. Ai shtoi që, si Hong-Kongu, ashtu edhe Makaoja, kanë ruajtur hovin e mirë të zhvillimit të tyre të qëndrueshëm.

Ding theksoi se legjislacioni i Nenit 23 të Ligjit Themelor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut është një detyrim kushtetues për këtë rajon dhe duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ai nxiti përpjekjet për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar, sigurinë e interesat e zhvillimit dhe për të siguruar begatinë e qëndrueshmërinë afatgjatë të Hong-Kongut.