Kinë: Përmirësohet cilësia e legjislacionit për të nxitur një sistem ligjor më të plotë dhe të unifikuar
2024-03-08 17:23:49

Foto nga Xinhua

Organi më i lartë ligjvënës i Kinës ka ushtruar me ndërgjegje pushtetin legjislativ të vendit, duke forcuar legjislacionin në fushat kryesore dhe të reja, si edhe fushat që përfshijnë punët e jashtme, vuri në dukje të premten kryetar i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) Zhao Leji. 

Duke mbajtur raportin e punës të Komitetit të Përhershëm të AKP-së në sesionin vjetor legjislativ, Zhao tha që gjatë vitit të kaluar, Komiteti i Përhershëm i AKP-së diskutoi 34 çështje legjislacioni dhe miratoi 21 prej tyre, që përfshijnë gjashtë ligje të reja, tetë ligje të rishikuara dhe shtatë vendime mbi çështje ligjore e tema të rëndësishme.

Legjislacioni lidhur me ekonominë dhe mirëqenien e njerëzve është forcuar, vuri në dukje Zhao, duke bërë të ditur se AKP-ja ka rishikuar plotësisht "Ligjin e kompanive" për të përmirësuar sistemin modern korporativ me karakteristika kineze, ka formuluar një ligj për mjedisin pa pengesa për të krijuar sistemet e rregulloret e duhura për ndërtimin e strukturave pa pengesa dhe ka lehtësuar zgjidhjen e vështirësive dhe të problemeve më të ngutshme që ndeshin të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara. 

Ai tha po ashtu se Komiteti i Përhershëm i AKP-së përmirësoi kuadrin ligjor për mbrojtjen e mjedisit, duke vënë në dukje se është hartuar një ligj mbi ruajtjen ekologjike të rrafshnaltës Qinghai-Xizang dhe është rishikuar "Ligji për mbrojtjen e mjedisit detar".

Duke përmirësuar legjislacionin për të mbrojtur sigurinë kombëtare, organi më i lartë ligjvënës formuloi një ligj të sigurisë ushqimore dhe bëri rishikimin e "Ligjit kundër spiunazhit", duke konsoliduar themelet ligjore për përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe duke ofruar më shumë mjete ligjore për luftën kundër infiltrimit, subversionit dhe vjedhjes së sekreteve, tha ai.

Komiteti i Përhershëm i AKP-së gjithashtu futi në fuqi ligjin e marrëdhënieve të jashtme dhe rishikoi "Kodin e procedurës civile" për të promovuar zhvillimin e një mjedisi biznesi të orientuar nga tregu e të mbështetur në ligj, në përputhje me standardet ndërkombëtare, shtoi Zhao.