Greqia pret më shumë vizitorë kinezë me linja direkte ajrore
2024-03-07 12:38:49

CFP

CFP

Greqia është gati të mirëpresë më shumë vizitorë kinezë në vitin 2024, me një rritje të numrit të linjave direkte ajrore midis Athinës dhe Pekinit e Shangait duke filluar nga 1 prilli.

“Tregu kinez është shumë i rëndësishëm për ne. Ishte një nga tregjet me rritje më të shpejtë përpara pandemisë. Ne besojmë se mund të tejkalojmë nivelin e mbërritjeve para pandemisë”,- deklaroi drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Kombëtare Greke të Turizmit, Sofia Lazaridou, në një konferencë shtypi, citon “Xinhua”.

Në vitin 2023, të dhënat nga Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës (AIA) treguan se mbërritjet e turistëve nga Kina tashmë ishin rikuperuar në 90 për qind të niveleve të vitit 2019, deklaroi Ioanna Papadopoulou, drejtoresha e komunikimit dhe marketingut e AIA-së.

Greqia (Foto China Daily)

Greqia (Foto China Daily)

Duke filluar nga 1 prilli, numri i fluturimeve direkte të operuara nga “Air China” ndërmjet Athinës dhe Pekinit pritet të rritet nga tre në pesë në javë për periudhën e sezonit veror, tha Fan Heyun, menaxher i përgjithshëm i “Air China” në Athinë.

Kompania ajrore do të fillojë të përdorë avionë më të mëdhenj dhe më modernë “Airbus A350”, duke rritur më tej kapacitetin e sediljeve, tha Fan.

Ministri këshilltar i Ambasadës së Kinës në Greqi, Lai Bo, tha se më 2 prill, një tjetër kompania ajrore kineze, “Juneyao Airlines”, do të nisë një linjë të dytë direkte që lidh Athinën me Shangain.

Fluturimet direkte midis Athinës dhe Pekinit u nisën nga “Air China” në vitin 2017. Në vetëm dy vjet, linja ajrore dyfishoi numrin e mbërritjeve kineze në AIA nga 108.613 në mbi 217.600 në 2019-n. (Irma)