Kina ndërton zonën e parë inteligjente për karikimin e automjeteve elektrike dhe ndërrimin e baterive
2024-03-07 12:01:01

VCG

VCG

Përfundon ndërtimi i zonës së parë inteligjente të demonstrimit për karikimin dhe ndërrimin e baterive të automjeteve elektrike (EV), në provincën lindore kineze të Jiangsu. Ajo do të shkurtojë kohën që nevojitet për karikimin e këtyre makinave, shkruan “Xinhua”.

Zona mbulon rreth 500 km katrorë në qytetet Suzhou, Wuxi dhe Changzhou. Me rreth 1300 pika karikimi, ajo pritet t'u shërbejë mbi 500.000 drejtuesve të automjeteve me energji të re (NEV), bëri të ditur “State Grid Jiangsu Electric Power Co., Ltd”.

Objektet e ndërrimit të baterive, të cilat lejojnë automjetet të ndryshojnë bateritë në vetëm 80 sekonda, do të futen duke filluar nga Wuxi, për t’u shtrirë më pas në të gjithë zonën.

Zona e re përdor algoritme inteligjente për të ndihmuar drejtuesit të gjejnë zgjidhjet më të shpejta dhe më ekonomike të karikimit, duke përfshirë kohët dhe vendndodhjet e përshtatshme të objekteve të karikimit.

VCG

VCG

Zona e demonstrimit pritet të zvogëlojë kohën mesatare mujore të radhës që kërkohet për karikim me gati 50 për qind, tha Yuan Xiaodong, drejtor teknik në Institutin e Kërkimit të Energjisë Elektrike të “State Grid Jiangsu Electric Power”.

Modeli i zonës së demonstrimit pritet të zgjerohet në provincën Anhui dhe komunën e Shangait, për të promovuar përmirësimin e industrisë së makinave me energji të re në rajonin e deltës së lumit Yangtze, tha Yuan.

Makinat me energji të re në përdorim u rritën në 20.41 milionë deri në fund të vitit 2023. Për të përmbushur këtë përdorim në rritje të makinave elektrike, Kina vazhdon të përmirësojë dhe zgjerojë rrjetin e vendit të pajisjeve të karikimit për mjetet me energji të re, i cili u rrit me 65 për qind në baza vjetore në vitin 2023, duke arritur në pothuajse 8.6 milionë deri në fund të vitit të kaluar, bëri të ditur Administrata Kombëtare kineze e Energjisë. (Irma)