Me qëndrueshmërinë dhe hovin e ndjeshëm, shumë ambasadorë janë optimistë për mundësitë ekonomike të Kinës
2024-03-06 19:14:01

Kur Li Qiang, kryetari i Këshillit të Shtetit të Kinës, paraqiti detyrat për vitin 2024 në raportin e punës së qeverisë më 5 mars, ai propozoi të promovohej ndërtimi i ekonomisë së hapur botërore dhe shtimi i përfitimeve nga popujt e të gjitha vendeve prej rezultateve të bashkëpunimit me dobi të përbashkët. Shumë ambasadorë në Kinë thanë në intervistat e tyre se gjallëria dhe qëndrueshmëria ekonomike e Kinës kanë një rëndësi të madhe për botën. Ata shprehën shpresën se vendet e tyre do të forcojnë bashkëpunimin me Kinën dhe do të promovojnë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ambasadori bullgar në Kinë Andrey Tehov 

Ambasadori bullgar në Kinë Andrey Tehov tha: “PBB-ja e Kinës në vitin e kaluar realizoi një rritje prej 5.2 %, gjë që tregon se perspektiva e zhvillimit të ekonomisë kineze është shumë e mirë".

Ai shprehu vlerësim për rritjen e fortë të ekonomisë kineze.  "Sinqerisht shpresoj se Bullgaria dhe Kina do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik. Para se të shërbeja si ambasador në Kinë, kam komunikuar me shumë njerëz nga qarqet ekonomike dhe ata në përgjithësi shprehën dëshirën e tyre për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dypalësh. Besoj se ky vullnet për të bashkëpunuar do të shndërrohet në një prirje të zhvillimit të vazhdueshëm. Aktualisht, e ndiej thellësisht se hapja ekonomike e Kinës vazhdon të forcohet dhe nga kjo do të përfitojnë të dy vendet tona," tha ambasadori i Bullgarisë.

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kinë Sashko Nasev

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kinë Sashko Nasev  theksoi në një intervistë me gazetarët: "Kina jo vetëm që ka një treg të madh, por gjithashtu ndodhet në një moment historik zhvillimi që s'mund të shpërfillet nga kompanitë e mëdha globale.”

Më tej Sashko Nasev shtoi: "Ekonomia kineze është pjesë e rëndësishme e ekonomisë botërore. Ne shpresojmë të shohim ekonominë e Kinës të vazhdojë të rritet dhe të thellojmë bashkëpunimin me Kinën. Veçanërisht në kuadrin e mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ne presim me padurim forcimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe të shkëmbimeve kulturore ndërmjet Kinës e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, për të promovuar së bashku investimet dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër.”

Ambasadori islandez në Kinë Thorir Ibsen

Ambasadori islandez në Kinë Thorir Ibsen i kushton rëndësi ekonomisë me lëshim të ulët karboni të Kinës: "Kina ka punuar shumë për të arritur dy objektivat e  karbonit, si prodhimi i automjeteve me energji të re dhe i paneleve diellore. Ajo jo vetëm që ka dhënë një shembull në ekonominë me karbon të ulët, por edhe ka nxitur inovacionin në industritë përkatëse në mbarë botën. Besoj se në vitet e ardhshme, Kina do të ofrojë gjithashtu më shumë mundësi bashkëpunimi për vendet e tjera, duke përfshirë Islandën, në zhvillimin e teknologjive të kapjes së karbonit dhe riciklimit të karbonit".

Ai gjithashtu u shpreh: "Marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Islandës dhe Kinës zbatohet prej dhjetë vjetësh. Vëllimi i tregtisë dypalëshe është dyfishuar dhe marrëdhëniet tregtare janë forcuar në shumë fusha. Unë kam besim në zhvillimin e vazhdueshëm të këtij bashkëpunimi. Aktualisht, përveç ekonomisë tradicionale blu, bashkëpunimi dypalësh po fokusohet gjithnjë e më shumë në fushat që lidhen me klimën dhe mjedisin, si edhe në industri, tregti dhe energjetikë."

Ambasadori i Sllovakisë në Kinës Peter Lizák 

Ambasadori i Sllovakisë në Kinës Peter Lizák mendon se industria e makinave elektrike e Kinës ka perspektivë të gjerë zhvillimi. "Sllovakia është mjaft e interesuar për prodhimin e makinave elektrike të Kinës dhe filloi të zhvillojë bashkëpunim me një pjesë të kompanive kineze në fushat e makinave dhe të baterive elektrike," u shpreh në intervistë ai. 

Ambasadori i Kepit të Gjelbër në Kinë Arlindo do Rosário

Ambasadori i Kepit të Gjelbër në Kinë, Arlindo do Rosário, vuri në dukje nga ana e tij: "Krahinat e ndryshme të Kinës kanë bërë përparim të madh, gjë që nuk pasqyrohet vetëm në fushën infrastrukturore, por edhe në sektorë të tjerë, si shëndetësia dhe arsimi, të cilat do të ndihmojnë në promovimin e integrimit dhe të zhvillimit shoqëror. Shpresoj që të dy vendet do të vazhdojnë të zgjerojnë bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme. Ne mirëpresim gjithashtu më shumë turistë kinezë të vijnë në Kepin e Gjelbër." (Çang Çuo)