Kina kundërshton me vendosmëri miratimin nga Filipinet të "Aktit të zonave detare"
2024-03-06 18:07:10

Kina kundërshton me vendosmëri miratimin nga Senati i Filipineve të "Aktit të zonave detare"  dhe u ka paraqitur demarsh solemn Filipineve, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning të  martën.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në një konferencë shtypi, Mao tha se Kina i kishte vënë re zhvillimet përkatëse. "Akti i zonave detare" i miratuar nga Senati i Filipineve është një orvatje për të zbatuar më tej vendimin e paligjshëm të arbitrazhit për Detin e Kinës Jugore nëpërmjet legjislacionit të brendshëm, duke i përfshirë Huangyan të Kinës, shumicën e ishujve dhe shkëmbinjve nënujorë të Nansha të Kinës dhe ujërat përreth në zonat detare të Filipineve. Kjo është një shkelje e rëndë e sovranitetit territorial dhe e të drejtave dhe interesave detare  të Kinës në Detin e Kinës Jugore, vërejti ajo. 

"Kina e kundërshton me vendosmëri një gjë të tillë dhe u ka paraqitur demarsh solemn Filipineve," theksoi Mao. 

Zëdhënësja e diplomacisë kineze ripohoi qëndrimin e Pekinit, sipas të cilit, së pari, Kina ka sovranitet mbi ishujt Nansha e Zhongsha, duke përfshirë edhe ishullin Huangyan e ujërat përreth, dhe ka të drejta sovrane e juridiksion mbi ujërat përkatëse. Mao shtoi se sovraniteti, të drejtat dhe interesat e Kinës në Detin e Kinës Jugore u krijuan në rrjedhën e gjatë të historisë. Ato janë të bazuara fort në histori e ligj dhe janë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën për të Drejtën Detare të Kombeve të Bashkuara (UNCLOS).  Së dyti, territori i Filipineve përcaktohet nga një sërë traktatesh ndërkombëtare. Ishulli Huangyan i Kinës dhe ishujt e gumat e tjera të Nansha-së janë plotësisht përtej kufijve territorialë  të Filipineve. Pushtimi i paligjshëm prej Filipineve i ishujve Mahuan, Feixin, Zhongye, Nanyao, Beizi e Xiyue, i Shuanghuang Shazhou dhe i Siling Jiao në Nansha të Kinës, shkel rëndë ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë Kartën e OKB-së.

 Filipinet shkuan në mënyrë arbitrare përtej hapësirës së tyre territoriale për të krijuar të ashtuquajturin "grup të ishujve Kalayaan", gjë që ka shkelur sovranitetin territorial të Kinës. Kjo është e paligjshme dhe e pavlefshme, theksoi Mao.