Panairi pranveror i ushqimeve dhe pijeve kthehet në festival konsumi
2024-03-05 17:17:32

CFP

CFP

Panairi i Ushqimit dhe Pijeve në Kinë i këtij muaji, i njohur si barometri i industrisë ushqimore të vendit, do të shndërrohet nga një ngjarje industriale në një festival konsumi, për të ndezur entuziazmin e konsumatorëve dhe për të stimuluar vitalitetin ekonomik, njofton “China Daily”.

Panairi 69-vjeçar mbahet dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë.

Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan të Kinës jugperëndimore, ka qenë qyteti pritës i përhershëm i edicionit pranveror që nga viti 2011.

Me sloganin “Festoni pranverën”, ngjarja e këtij viti do të përbëhet nga dy pjesë: ekspozita nga 20 deri më 22 mars dhe aktivitetet që integrojnë ekspozitën dhe qytetin nga 8 deri më 24 mars.

Një festival muzikor i quajtur “Rock Candy”, i pari i këtij lloji në historinë e panairit, do të mbahet nga data 23 deri më 24 mars.

CFP

CFP

Komiteti organizativ do të ftojë muzikantë të njohur nga vendi dhe jashtë për të performuar në festival, duke bashkuar zhanre të ndryshme duke përfshirë muzikën pop, rok, hip-hop, xhaz dhe elektronike.

Ngjarja e këtij viti do të ketë 11 zona ekspozimi dhe 14 zona të veçanta, me sipërfaqen totale që arrin një rekord prej 325.000 metrash katrorë.

Panairi pranveror i ushqimeve dhe pijeve pritet të tërheqë më shumë se 6600 ekspozues, me mbi 300.000 ekspozita nga 45 vende dhe rajone, si dhe mbi 400.000 vizitorë profesionistë. (Fatosi)