Kina do të sigurojë trajtim kombëtar për ndërmarrjet me financim të huaj
2024-03-05 16:04:00

foto: VCG

foto: VCG

Kina do të marrë masa për të siguruar trajtim kombëtar për ndërmarrjet me financim të huaj, sipas raportit të punës së qeverisë të paraqitur të martën në organin më të lartë ligjvënës të vendit për shqyrtim. 

Për të nxitur hapjen me standard më të lartë dhe përfitimet e ndërsjella, Kina do të promovojë përafrimin me rregullat ekonomike e tregtare ndërkombëtare me standarde të larta dhe do të zgjerojë në mënyrë të qëndrueshme hapjen institucionale, thuhet në raport. 

Po sipas këtij dokumenti, do të bëhen më shumë përpjekje për të tërhequr investimet e huaja. Të gjitha kufizimet për hyrjen në treg të investimeve të huaja në sektorin e prodhimit do të hiqen dhe kufizimet për hyrjen në treg në sektorët e shërbimeve, si telekomunikacioni dhe shëndetësia, do të pakësohen. 

Do të punohet gjithashtu për ta bërë Kinën një destinacion të pëlqyer për investimet e huaja dhe për të arritur përparim të qëndrueshëm lidhur me bashkëpunimin me cilësi të lartë në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë". 

Kina do të thellojë bashkëpunimin ekonomik shumëpalësh, dypalësh e rajonal dhe do të bëjë përpjekje për t'u përfshirë në Marrëveshjen e Partneritetit të Ekonomisë Digjitale dhe Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse e Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit, shtohet në raport. (Zhan Dian/Artan)