Kore e Jugut, doktorët në protestë kundër rritjes së kuotave në shkollën e mjekësisë
2024-03-05 17:19:16

Doktoret ne Kore (Foto Rtsh)

Doktoret ne Kore (Foto Rtsh)

Mijëra mjekë në Korenë e Jugut protestuan në Seul kundër planeve të qeverisë për të rritur pranimet në shkollat e mjekësisë dhe ndaj mungesës së mbështetjes për sistemin mjekësor të vendit, njofton “RTSH”.

Mjekët thonë se qeveria duhet të trajtojë një gamë më të gjerë sfidash me të cilat përballet sistemi i kujdesit shëndetësor sesa numri i mjekëve të trajnuar në vit.

Shqetësimet e tyre përfshijnë shtimin e stafit në fusha specifike dhe çmimin që paguan qeveria për trajtimet thelbësore mjekësore, si dhe krijimin e infrastrukturës së duhur për edukimin e një numri më të madh studentësh të mjekësisë.

Plani i qeverisë, i shpallur në shkurt, do të rrisë me 2 mijë numrin e studentëve që pranohen në shkollat e mjekësisë, duke filluar nga viti akademik 2025, duke e çuar totalin në 5 mijë në vit.

Mjekët praktikantë janë gjithashtu të zemëruar për kushtet e vështira të punës prej pagave të ulëta dhe orëve të gjata.

Rreth 8 mijë mjekë praktikantë në Korenë e Jugut filluan grevën më 21 shkurt duke dhënë dorëheqjen. Që atëherë, 1 mijë të tjerë janë dorëhequr.

Qeveria pretendon se masat e saj janë për një ndryshim në kujdesin shëndetësor teksa shoqëria po plaket me ritmet më të shpejta në botë dhe për të rritur aksesin në zonat rurale.

Sipas një sondazhi të “Gallup”, 76% e të anketuarve favorizonin shtimin e pranimeve në shkollat mjekësore.

Të enjten, qeveria lëshoi një urdhër për kthimin në punë, duke paralajmëruar mjekët grevistë që licencat e tyre mjekësore mund të pezullohen nëse ata nuk binden.  (Fatosi)