BE-ja shpreh shqetësim për vdekjen e civilëve në Gaza
2024-03-03 17:06:22

Borrell (Foto Atsh)

Borrell (Foto Atsh)

Përfaqësues të lartë të BE-së shprehën shqetësim për vdekjen e dhjetëra civilëve në Gaza, ndërsa prisnin të merrnin ndihmat humanitare.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh thellësisht e shqetësuar nga pamjet në Gaza, pasi ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një turme njerëzish pranë autokolonës së ndihmës, shkruan “ATSH”.

Në një postim në “X” ajo shkroi: “Duhet bërë çdo përpjekje për të hetuar atë që ka ndodhur dhe për të siguruar transparencë. Ndihma humanitare është një mjet shpëtimi për ata që kanë nevojë dhe aksesi në të duhet të sigurohet. Ne qëndrojmë pranë civilëve, duke kërkuar mbrojtjen e tyre në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

CFP

CFP

Shefi i Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se vdekjet e civilëve janë krejtësisht të papranueshme.

“Jam i tmerruar nga lajmet për një tjetër masakër mes civilëve në Gaza të dëshpëruar për ndihmë humanitare. Këto vdekje janë krejtësisht të papranueshme. Privimi i njerëzve nga ndihma ushqimore përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar”,- tha Borrell në një postim në “X”.

Të paktën 112 palestinezë thuhet se janë vrarë dhe 760 janë plagosur nga sulmet izraelite, në përpjekje për të marrë ndihmën e nevojshme në Gaza. (Irma)