Ushtria izraelite sulmon pozicionet e Hezbollahut në Liban
2024-03-02 16:23:59

Avionët luftarakë izraelitë kryen një sërë sulmesh ajrore kundër pozicioneve pro-iraniane të Hezbollahut mbi disa fshatra libaneze, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime, shkruan “RTSH”.

Kjo pason pretendimet e Hezbollahut se kishte goditur ushtarët izraelitë në Jal al-Alam dhe postat izraelite në zonën e diskutueshme të Fermave Shebaa në kufirin libanezo-izraelit.

Hakmarrja izraelite shënjestroi periferitë e Beit Leef dhe Ramia.

Artileria izraelite goditi gjithashtu periferi të al-Naqoura, pas një nate sulmesh ajrore dhe granatimesh në disa qytete kufitare jugore, duke përfshirë Sidqine, Houla, Mais al-Jabal, Markaba dhe periferi të al-Taybeh.

Sipas burimeve libaneze të Sigurisë, 14 persona u plagosën gjatë sulmeve izraelite në Sidqine gjatë natës.

Ushtria izraelite bëri të ditur se avionët e saj luftarakë goditën një numër objektivash terroriste të Hezbollahut në zonën e Jabal Blat, duke përfshirë vendet e nisjes dhe një vendndodhje ushtarake ku operonin terroristët.

Shkëmbimet e vazhdueshme ndërkufitare midis Hezbollahut dhe Izraelit kanë nxitur frikën e një lufte gjithëpërfshirëse në kufirin verior të Izraelit me Libanin.  (Irma)