Konfirmohen datat e garave për Lojërat Dimërore Aziatike 2025
2024-03-02 15:07:18

CFP

CFP

Lojërat Dimërore Aziatike 2025 do të zhvillohen në Harbin, kryeqendra e provincës Heilongjiang të Kinës verilindore, nga 7-14 shkurt, sipas orarit të garave të zbuluar nga Këshilli Olimpik i Azisë (OCA).

Lojërat do të përfshijnë gjashtë sporte, 11 disiplina dhe 64 ngjarje, me garat e hokejit mbi akull dhe “curling” për meshkuj dhe femra që do të fillojnë më 5 shkurt, dy ditë përpara ceremonisë së hapjes. Gjashtë sportet janë biatlon, “curling”, hokej mbi akull, patinazh, ski dhe alpinizëm me ski, shkruan “Xinhua”.

Garat e akullit do të mbahen në Harbin, duke përdorur vendet ekzistuese nga Lojërat Dimërore Aziatike të vitit 1996, ndërsa garat e dëborës do të zhvillohen në Yabuli, 193 km larg nga Harbini.

Konferenca Ndërkombëtare, Ekspozita dhe Qendra Sportive e Harbinit do të presë ceremoninë e hapjes më 7 shkurt dhe ceremoninë e mbylljes do të jetë më 14 shkurt.

Harbini u caktua për të zhvilluar Lojërat Dimërore Aziatike 2025 nga OCA-ja në Asamblenë e Përgjithshme të 42-të të mbajtur në Bangkok, Tajlandë në korrik 2023.

Slogani, emblema dhe maskotat e Lojërave u zbuluan zyrtarisht më 11 janar. Sipas komitetit organizativ, përgatitjet për këtë event sportiv janë në ritëm të plotë, mirëmbajtja dhe rinovimi i ambienteve dhe objekteve mbështetëse gjithashtu do të fillojë, ndërsa kërkesa e partnerëve zyrtarë, sponsorëve zyrtarë dhe prodhuesve të licencuar të mallrave do të fillojë në një fazë të mëvonshme. Lojërat rajonale do të zhvillohen në Kinë për herë të tretë, pas Harbinit në vitin 1996 dhe Changchun, kryeqendra e provincës Jilin, në 2007-n. (Irma)