Plani për dërgimin e trupave në Ukrainë, presidenti francez: Fjalët e thëna janë të matura mirë
2024-03-02 15:09:43

Macron (Foto Panorama)

Macron (Foto Panorama)

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se fjalët e thëna për dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë janë të peshuara mirë.

“Këto janë tema mjaft serioze. Çdo fjalë e imja për këtë çështje është e peshuar, e menduar dhe e llogaritur”,- deklaroi presidenti Macron në një prononcim për mediet, përcjell “Panorama”.

Presidenti francez tha më 26 shkurt se, në një takim në Paris, ku përfaqësuesit e rreth 20 vendeve perëndimore diskutuan mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën në konfliktin me Rusinë, u ngrit mundësia e dërgimit të trupave tokësore të vendeve perëndimore në Ukrainë.

Ai theksoi se nuk është arritur konsensus, por një skenar i tillë nuk mund të përjashtohet në të ardhmen.

Pas konferencës, përfaqësuesit e shumicës së vendeve pjesëmarrëse thanë se ata nuk kishin ndërmend të dërgonin trupa në Ukrainë dhe se ishin kundër pjesëmarrjes së tyre në operacionet ushtarake kundër Rusisë. (Irma)