“Volkswagen” bashkëpunon me kinezen “XPeng” për të zhvilluar automjete të lidhura inteligjente
2024-03-02 16:31:19

automjeti elektrik “XPeng”/CFP

“Volkswagen” ka nënshkruar një marrëveshje me startup-in kinez të automjeteve elektrike “XPeng”, për bashkëpunimin teknik strategjik për të zhvilluar së bashku dy modele të lidhura inteligjente të automjeteve për tregun kinez, njoftoi “Volkswagen Group China”, citon “Xinhua”.

Të dy modelet, të planifikuara për të dalë në treg në vitin 2026, do të pajisen me softuer dhe harduer më të avancuar, duke u ofruar klientëve një përvojë digjitale intuitive dhe funksione të avancuara të automatizuara të drejtimit.

Sipas marrëveshjes, të dyja palët kanë hyrë në një program të përbashkët prokurimi për pjesët e përbashkëta të automjeteve dhe platformës. Nëpërmjet prokurimit të përbashkët dhe përdorimit të teknologjive inovative gjatë fazës së projektimit dhe inxhinierisë, koha e zhvillimit për këto dy modele të automjeteve elektrike do të reduktohet me mbi 30 për qind.

Sipas marrëveshjes, si qendra më e madhe e zhvillimit të “Volkswagen” jashtë Gjermanisë, Kompania Teknologjike e Kinës “Volkswagen” në Hefei, kryeqendra e provincës Anhui të Kinës lindore, po vepron si një ndërfaqe qendrore për të siguruar sinergjitë më të mira të mundshme të dy palëve.

automjeti elektrik “XPeng”/CFP

“Në tregun më të madh dhe me rritje më të shpejtë në botë të makinave elektrike, shpejtësia është thelbësore kur bëhet fjalë për të përfituar nga segmentet premtuese të tregut. Nëpërmjet partneritetit me “XPeng”, ne jo vetëm që po përshpejtojmë kohën e zhvillimit, por gjithashtu po rrisim efikasitetin dhe optimizojmë strukturat e kostos. Kjo rrit konkurrueshmëria ekonomike në një mjedis tregu shumë të ndjeshëm ndaj çmimit”,- deklaroi Ralf Brandstaetter, presidenti dhe drejtori ekzekutiv i “Volkswagen Group China”.

“Volkswagen” njoftoi partneritetin me “XPeng” në korrik 2023 dhe përfundoi blerjen e aksioneve që arrijnë në rreth 4.99 për qind të totalit të kapitalit aksioner të emetuar dhe të papaguar të “XPeng” në dhjetor të vitit të kaluar. (Irma)