Nënshkruhet memorandumi me Kolegjin e Evropës, për bashkëpunim në fushën e turizmit
2024-03-01 15:06:10

Kumbaro - Mogherini (Foto Atsh)

Kumbaro - Mogherini (Foto Atsh)

Ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, firmosën një memorandum mirëkuptimi për promovimin e kulturës, trashëgimisë, pasurive natyrore të Shqipërisë përmes angazhimit të studentëve të Kolegjit të Evropës me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, shkruan “ATSH”.

Sipas këtij memorandumi, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit, do të hartojë itineraret turistike dhe do të sigurojë udhërrëfimin turistik përmes udhërrëfyesve të certifikuar nga kjo ministri.

“Jam e lumtur që Kolegji i Evropës nuk do të mirëpresë vetëm studentë shqiptarë, por studentë nga e gjithë Europa. Ne do të bëjmë më të mirën që t’u japim atyre mundësinë ta vizitojnë Shqipërinë, ta shijojnë vendi edhe pse jo, të bëhen ambasadorë të ardhshëm të Shqipërisë turistike, të Shqipërisë së kulturës, të Shqipërisë europiane. Marrëveshja e firmosur synon të formohen jo vetëm liderë të së ardhmes, por edhe ambasadorë të cilët do ta prezantojnë Shqipërinë me shijen e tyre personale”,- deklaroi ministrja Kumbaro.

“Slogani i këtij viti do të jetë “Albania all senses”, ndaj duhet ta shijoni dhe jetoni”, theksoi ministrja shqiptare.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Ky memorandum është një mundësi shumë e mirë, me rëndësi dhe interesante për studentët dhe komunitetin e Kolegjit. Jam krenare, që falë këtij bashkëpunimi do t’u ofrojmë studentëve mundësinë për të eksploruar trashëgiminë kulturore, bukuritë natyrore, historinë dhe gjithçka që Shqipëria ofron. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm procesin e të mësuarit të studentëve, sepse një pjesë integrale e dijeve ka të bëjë me të kuptuarit e historisë dhe kulturës lokale dhe rajonale”,- deklaroi Mogherini.

Sipas saj, duke qenë se do të ketë studentë nga e gjithë Evropa, kjo do të jetë një mundësi e mirë që ata të kthehen në ambasadorë të Shqipërisë për vendet nga vijnë, por edhe kudo në botë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kolegji i Europës është duke hapur kampusin e tij në Tiranë për të nisur vitin akademik në shtator, me 31 studentët e parë nga e gjithë Europa. Integrimi është një pjesë integrale e këtij programi, i cili do të jetë një realitet gjithëpërfshirës në Shqipëri dhe përfshin gjithashtu pasuritë historike, kulturore dhe natyrore të vendit. (Irma)