Ekonomia kineze arrin rritje të qëndrueshme në vitin 2023
2024-03-01 20:30:57

foto nga CFP

foto nga CFP

Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi të enjten komunikatën e vet statistikore vjetore, duke detajuar përparimin ekonomik e shoqëror të vendit dhe zhvillimet më 2023. 

Me gjithë përballjen me presione në shumë fronte vitin e kaluar, ekonomia kineze ka ardhur duke u rimëkëmbur gjithnjë e më shumë, teksa objektivat kryesorë janë përmbushur, tha Sheng Laiyun, zëvendësdrejtori i Zyrës Kombëtare të Statistikave.

Më 2023, ekonomia kineze u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme dhe PBB-ja e Kinës u rrit 5.2 për qind në krahasim me vitin paraardhës, duke arritur në 126.06 trilion juanë (17.75 trilion dollarë), mbi objektivin qeveritar prej "rreth 5 për qind". 

Pavarësisht nga mjedisi ndërkombëtar kompleks vitin e kaluar, rritja ekonomike e Kinës e kaloi ndjeshëm rritjen e PBB-së së ShBA-së prej 2.5 për qind, theksoi ai.

Ndërkohë, tregu i punësimit në Kinë ka mbetur përgjithësisht i qëndrueshëm. Norma mesatare e papunësisë urbane në Kinë ishte 5.2 për qind, me një rënie 0.4 për qind nga viti i mëparshëm dhe më e ulët se objektivi i parashikuar prej rreth 5.5 për qind.

foto nga CFP

foto nga CFP

Në lidhje me konsumin dhe çmimet, më 2023 treguesi i çmimeve të konsumit (CPI) i Kinës u shtua 0.2 për qind në krahasim me vitin 2022, duke mbajtur një prirje të moderuar rritjeje shumë më të ulët se rritja 4.1 për qind në ShBA dhe 5.4 për qind në Eurozonë. 

"Kjo është në kontrast të madh me inflacionin e lartë që vazhdon të pllakosë ekonomitë e mëdha të zhvilluara," theksoi Sheng.

Nxitësit e rinj të rritjes dëshmuan po ashtu një zhvillim të fortë. Kështu, investimet e Kinës në teknologji për të përmirësuar industrinë e prodhimit u rritën me 3.8 për qind gjatë vitit kaluar. Prodhimi me vlerë të shtuar në teknologjinë e lartë përbëri 15.7 për qind midis të gjitha ndërmarrjeve të mëdha industriale, ndërsa prodhimi me vlerë të shtuar i pajisjeve zuri 33.6 për qind. 

Kina ka nxitur edhe krijimin e një tregu kombëtar të unifikuar dhe ka optimizuar mjedisin për zhvillimin e ekonomisë private.

Në vitin 2023, Kina pati 32.73 milionë subjekte të reja biznesi, me një mesatare prej 27 000 ndërmarrjesh të reja në ditë, gjë që shtoi efektivisht gjallërinë e zhvillimit ekonomik. 

Sa i përket tregtisë ndërkombëtare, Kina arriti një ekuilibër bazë në bilancin e pagesave. Vlera e përgjithshme e importit dhe eksportit të mallrave vitin e kaluar ishte 41.8 trilionë juanë, duke njohur rritje pavarësisht nga baza e lartë e krahasimit.