Kinë: Ishulli Hengqin heq tarifat për shumicën e importeve nga Makaoja
2024-03-01 16:20:40

Ishulli Hengqin në provincën jugore Guangdong të Kinës nisi një operacion të ri doganor të premten, që i mundëson shumicës së mallrave nga Rajoni i Posaçëm Administrativ i Makaos fqinj të hyjnë atje pa taksa. 

Operacioni i ri filloi në mesnatë në Zonën e Bashkëpunimit të Thellë Guangdong - Makao në Hengqin, në qytetin e Zhuhai-t. Ishulli 106 kilometra katrorë gjendet midis Makaos dhe pjesës kontinentale kineze.

Sipas mekanizmit të ri, do të hiqen përgjithësisht tarifat për mallrat që hyjnë në Hengqin nga Makaoja, ndërsa mallrat që lëvizin nga Hengqin-i për në pjesën kontinentale të Kinës do t'u nënshtrohen taksave të importit nëse nuk përfshihen në përjashtimin e taksës me vlerë të shtuar. 

Përjashtime të ngjashme prej taksave aplikohen gjithashtu për bagazhet dhe pakot që hyjnë në Hengqin nga Makaoja.

Politika e re shihet si një masë e rëndësishme në kuadër të parimit "Një vend, dy sisteme" dhe për nxitjen e diversifikimit ekonomik në Makao. 

"Politika e re do të lehtësojë efektivisht qarkullimin e mallrave, personelit, kapitalit dhe informacionit ndërmjet Hengqin-it e Makaos dhe do të krijojë një hapësirë të re të vyer për industritë dhe format e reja të biznesit në Makao," tha Li Weinong, drejtor i komitetit ekzekutiv të zonës.

Më 2021, autoritetet qendrore të Kinës vendosën të ndërtojnë Zonën e Bashkëpunimit të Thellë Guangdong - Makao në Hengqin dhe ta bëjnë këtë ishull një pikë të rëndësishme rritjeje për ekonominë e Makaos.