Kinë, mëkëmben fluturimet e rregullta ndërkombëtare të udhëtarëve
2024-02-29 19:03:32

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Administrata e Aviacionit Civil e Kinës (CAAC) bëri të ditur në një konferencë të rregullt për shtypin të organizuar të enjten paradite se, që nga fillimi i transportit me rastin e Festës së Pranverës, fluturimet e rregullta ndërkombëtare të udhëtarëve në Kinë janë mëkëmbur në mënyrë të qëndrueshme. Nga 12 deri më 18 shkurt, kompanitë ajrore kineze e të huaja kryen 5398 fluturime të rregullta ndërkombëtare udhëtarësh, duke u rikthyer në 70.7 % të fluturimeve para pandemisë, ndërsa fluturimet e lidhura me vendet pjesëmarrëse në nismën "Një brez, një rrugë" zunë 74.2 %.

Deri tani, fluturimet e rregullta ndërkombëtare të udhëtarëve kryhen me 64 vende, 48 ndër të cilat janë pjesëmarrëse të "Një brez, një rrugë". Njëkohësisht numri i fluturimeve me 22 vende, duke përfshirë Singaporin, Australinë, Britaninë, Italinë, Turqinë, Katarin etj., e kaloi nivelin para pandemisë, dhe nisi transporti ajror me pesë vende të reja, si Kuvajti e Luksemburgu.

Për sa u përket fluturimeve ndërmjet Kinës e ShBA-së, që nga 31 marsi, kompanitë ajrore kineze e amerikane do të kryejnë 100 fluturime të rregullta udhëtarësh në javë. 

Në të ardhmen, CAAC do të vazhdojë të nxitë ripërtëritjen e fluturimeve ndërkombëtare për të plotësuar kërkesat e udhëtarëve  për transport ajror. (Fani)