Ari merr hov prej kërkesave nga Gjenerata Z
2024-02-29 10:23:03

Ari po përjeton një rigjallërim të popullaritetit, me hovin e blerjeve të metalit të çmuar nga kërjesat e brezit të ri në Kinë. Blerja e arit, tërheqja ndaj të cilit ishte zbehur pasi konsumatorët kinezë favorizonin diamantet dhe perlat, shënuan rritje të fortë gjatë Festës së Pranverës, pavarësisht çmimeve të ngritura.

Shoqata e Arit në Kinë bëri të ditur se ndërsa tregu më i madh në botë i metaleve të çmuara po përgatitej për festimet e Vitit të Ri Kinez këtë vit, bizhuteritë e arit dhe shufrat e arit Viti i Dragoit janë shfaqur si produktet më të preferuara.

foto: ChinaDaily

foto: ChinaDaily

Sipas shoqatës, i nxitur nga një sërë politikash që synojnë stimulimin e konsumit, tregu i brendshëm i konsumit është rikuperuar në mënyrë të qëndrueshme, me bizhuteritë prej ari dhe argjendi që janë shfaqur si kategoritë me rritjen më të shpejtë midis segmenteve të ndryshme të shitjes me pakicë gjatë vitit të kaluar.

Tregu i brendshëm i konsumit të arit ka treguar shenja përmirësimi që nga viti i kaluar, pasi Banka Qendrore e Kinës dhe konsumatorët me pakicë u kthyen drejt aseteve të sigurta, tha Zhang Yongtao, nënkryetar dhe sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Arit në Kinë.

Ndërmarrjet e përpunimit të bizhuterive dhe shitjes me pakicë në Kinë kanë punuar vazhdimisht me risitë në dizajnimin e produkteve të arit, duke nxitur rritjen e kërkesës për bizhuteri ari.

Ndërsa Festa e Pranverës ka qenë gjithmonë një sezon kulmor për shitjet e arit, bizhuteritë prej ari që shfaqin shenjën e zodiakut të dragoit kanë qenë veçanërisht të preferuara këtë vit dhe çmimet në rritje të arit nuk e kanë frenuar entuziazmin e blerësve të konsumatorëve, bëri të ditur Departamenti i Dyqaneve në Caishikou në kryeqytetin kinez.

Disa argjendari kineze po dizajnojnë produkte të ndryshme bizhuterish që përmbajnë elemente kulturore tradicionale kineze për të kënaqur nevojat estetike të konsumatorëve të rinj.

foto: VCG

foto: VCG

“Shandong Gold Group”, për shembull, njoftoi se ka qenë aktivisht i angazhuar në shkëmbime dhe bashkëpunim me universitete, ekspertë të trashëgimive kulturore jomateriale dhe institucione kulturore dhe arti, për të eksploruar më mirë integrimin e kulturës tradicionale me inovacionin në dizajnet dhe teknikat e bizhuterive ari, për të injektuar vitalitet në industrinë e arit.

Bizhuteritë prej ari fine dhe në modë kanë pasur më shumë tërheqje nga konsumatorët, duke kontribuar në rritjen e përgjithshme të konsumit të bizhuterive ari, sipas shoqatës.

Të rinjtë kinezë të moshës 25-34 vjeç janë bërë forca kryesore e konsumit të arit, duke arritur në 59 për qind në vitin 2023. Sipas shoqatës, parashikohet që në të ardhmen, konsumatorët nën moshën 25 vjeç do të bëhen blerës të rinj të mëdhenj të arit.

“Bizhuteritë e arit, që dikur konsideroheshin të kaluar mode, tani po tërheqin interesin nga më të rinjtë kinezë. Kërkesa ka qenë mjaft e mirë, duke marrë parasysh dhe çmimin”,- tha Nikos Kavalis, drejtor menaxhues në konsulencën “Metals Focus Ltd”.

foto: VCG

foto: VCG

Në të kaluarën jo shumë të largët, ari simbolizonte shijen e brezave të vjetër, por tani është shndërruar në trendin e Gjeneratës Z që përfaqëson stilin personal dhe besnikërinë kulturore, tha Wang Zhongwu, profesor në Shkollën e Filozofisë dhe Zhvillimit Social të Universitetit Shandong. Wang Lixin, drejtori ekzekutiv i Këshillit Botëror të Arit (Kinë), tha se futja e masave të ndryshme stimuluese ekonomike me fokus konsumin ka kontribuar në rritjen e blerjeve të bizhuterive prej ari që nga viti i kaluar.

Sipas shoqatës, konsumi i arit në Kinë u rrit me 8.78 për qind në baza vjetore në 1089.69 tonë në vitin 2023. Nga totali, konsumi i bizhuterive prej ari arriti në 706.48 tonë, një rritje vjetore prej 7.97 për qind, ndërsa shufrat dhe monedhat e arit arritën në 299.6 tonë, me 15.7 për qind më shumë në baza vjetore, sipas të dhënave të shoqatës.

Këshilli beson se prodhimi dhe konsumi i arit do të mbeten në terren pozitiv dhe do të vazhdojnë të tërheqin vëmendjen nga investitorët globalë në vitin 2024, të nxitur nga rimëkëmbja ekonomike dhe blerjet e qëndrueshme nga Banka Qendrore.