Kryeministri kinez takohet me presidentin e Sierra-Leones
2024-02-29 11:47:10

Foto nga Xinhua

Kryeministri kinez Li Qiang u takua të mërkurën në Pekin me presidentin e Sierra-Leones Julius Maada Bio, duke bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve.

Li tha se që nga vendosja e lidhjeve diplomatike më shumë se 50 vjet më parë, Kina dhe Sierra-Leone e kanë respektuar gjithmonë njëra-tjetrën, e kanë trajtuar njëra-tjetrën në mënyrë të barabartë dhe kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën në mënyrë të sinqertë. Të dy vendet janë miq të mirë, partnerë të mirë e vëllezër të mirë në të gjitha kushtet. 

Li theksoi gjithashtu se vitet e fundit, nën drejtimin strategjik të të dy krerëve të shtetit, Kina dhe Sierra-Leone e kanë forcuar vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik, kanë arritur rezultate frytdhënëse në fusha të ndryshme të bashkëpunimit, kanë ruajtur bashkërendimin e ngushtë në çështjet ndërkombëtare dhe kanë krijuar një shembull të ri të bashkëpunimit Jug-Jug.

Kreu i qeverisë kineze vuri në dukje po ashtu që Kina është e gatshme të forcojë ndërthurjen e strategjive të zhvillimit me Sierra-Leonen, të kryejë bashkëpunim praktik dhe të efektshëm, të çojë përpara ndërtimin e veprave kryesore e projekteve për jetesën e njerëzve në mënyrë të rregullt dhe të ofrojë mbështetje për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Sierra-Leones brenda mundësive. 

Kina do të vazhdojë të dërgojë ekspertë të agronomisë për ta ndihmuar Sierra-Leonen të kultivojë kultura bujqësore cilësore dhe në përgatitjen e personelit teknik, do të forcojë shkëmbimet dhe ndarjen e përvojës në planifikimin e politikave bujqësore me  Sierra-Leonen dhe do të promovojë forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit bujqësor ndërmjet të dy vendeve, theksoi ai.

Li shtoi se Kina është e gatshme të importojë më shumë produkte cilësore nga Sierra-Leone, i nxit ndërmarrjet kineze të zgjerojnë investimet në këtë vend dhe shpreson që Sierra-Leone të vazhdojë të sigurojë një mjedis të mirë biznesi për ndërmarrjet kineze. 

Presidenti i Sierra-Leones Julius Maada Bio theksoi nga ana e tij se Sierra-Leone e konsideron Kinën si partnere të besueshme zhvillimi dhe të dy vendet kanë një miqësi të thellë tradicionale dhe një bashkëpunim të ngushtë me dobi të ndërsjellë.

Ai tha se Sierra-Leone e respekton parimin e "Një Kine" dhe është e gatshme të ofrojë mbështetje të fortë të ndërsjellë për mbrojtjen e interesave thelbësore, thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e infrastrukturës, bujqësi, ekonomi e tregti, arsim, shëndetësi dhe uljen e varfërisë në kuadrin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë, duke e ngritur partneritetin e ndërsjellë strategjik të bashkëpunimit në një nivel të ri. 

Sierra-Leone është e gatshme të forcojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin me Kinën në çështjet ndërkombëtare e rajonale dhe të nxisë së bashku paqen dhe zhvillimin global, shtoi ai.