Hungaria miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO
2024-02-28 17:02:14

Foto nga VCG

Parlamenti i Hungarisë miratoi me shumicë dërrmuese ofertën e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n, duke hapur rrugën për pranimin e vendit nordik në aleancë pas gati dy vjet negociatash intensive, përcjell “RTSH”.

Marrja e miratimit nga Parlamenti hungarez ishte pengesa e fundit për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, vizitoi Budapestin të premten për të diskutuar bashkëpunimin e mbrojtjes dhe sigurisë me homologun e tij hungarez, Viktor Orban. Të dy palët duket se u pajtuan, duke rënë dakord për një marrëveshje, sipas së cilës Hungaria do të blejë katër avionë të rinj luftarakë të prodhimit suedez “Gripen”.

“Sot është një ditë historike. Suedia është e gatshme të mbajë përgjegjësinë e saj për sigurinë euroatlantike”,- shkroi kryeministri Kristersson në “X”.

Suedia do t'i bashkohet zyrtarisht aleancës pasi të dorëzojë instrumentin e saj të anëtarësimit me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e cila është depozituesi i Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se Suedia do të bëhet anëtare e bllokut tani që të gjithë aleatët kanë miratuar ofertën e saj për t'u bashkuar. “Anëtarësimi i Suedisë do të na bëjë të gjithëve më të fortë dhe më të sigurt”,- tha ai.

Me pranimin e Suedisë, NATO do të numërojë 32 vende midis anëtarëve të saj. (Elona)