Përdoruesit e letërsisë në internet në Kinë tejkalojnë 530 milionë
2024-02-28 10:33:48

Foto nga VCG

Një raport i ri i publikuar nga Akademia Kineze e Shkencave Sociale tregon se numri i përdoruesve të platformave të letërsisë në internet arriti në 537 milionë deri në fund të vitit 2023, një rritje me 9 për qind nga viti paraardhës.

Sipas raportit mbi kërkimin dhe zhvillimin e letërsisë në internet, madhësia e tregut të leximit të letërsisë në internet në Kinë ka tejkaluar 40 miliardë juanë (5.63 miliardë dollarë amerikanë), citon “Xinhua”.

Në vitin 2023, shkrimtarët inkorporuan më shumë elementë të kulturës tradicionale kineze në zhanre të ndryshme letrare, duke përfshirë letërsinë me tema historike dhe bashkëkohore, si dhe fantashkencën, thuhet në raport.

Zhvillimi i industrisë së letërsisë në internet në Kinë gjatë vitit të kaluar pa gjithashtu një rritje të globalizimit.

Raporti tregon se shkalla e tregut të letërsisë kineze në internet, që po bëhet globale, tejkaloi 4 miliardë juanë vitin e kaluar, me afërsisht 620.000 vepra origjinale të disponueshme për lexuesit në më shumë se 200 vende dhe rajone.

Raporti diskuton gjithashtu ndikimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale në industrinë e letërsisë në internet, si dhe përparimin në fushën e mbrojtjes së të drejtave të autorit. (Elona)