Kina kërkon bashkëpunim për të nxitur të drejtat e njeriut të personave me aftësi të kufizuara
2024-02-28 20:38:36

Persona me aftësi të kufizuara marrin pjesë në një veprimtari sportive në Pekin, Kinë, korrik 2020. / Xinhua 

Zhang Haidi, ish-kryetare e Federatës Kineze të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe presidente e Rehabilitimit Ndërkombëtar, bëri thirrje të hënën për bashkëpunim ndërkombëtar për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të kauzës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara.

Zhang i tha këto gjatë një fjalimi në një seminar të nivelit të lartë mbi personat me aftësi të kufizuara në sesionin e 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë. 

Duke vënë në dukje se Strategjia e Përfshirjes së Personave me Aftësi të Kufizuara e OKB-së është promovuar efektivisht, Zhang tha se personat me aftësi të kufizuara ende ndeshen me shumë vështirësi dhe sfida në pjesëmarrjen në jetën politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore. 

Përfaqësuesja kineze bëri thirrje për forcimin e shkëmbimeve, bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërkombëtar lidhur me çështjen e personave me aftësi të kufizuara, me qëllim që të zbatohet më mirë Konventa e OKB-së mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Agjenda për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030.

Gjatë fjalimit të saj, Zhang foli gjithashtu edhe për zhvillimin me cilësi të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut prej Kinës për personat me aftësi të kufizuara. Kina ka më shumë se 90 ligje lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të personave me aftësi të kufizuara, theksoi ajo. 

Gjithsej 27 milionë persona me aftësi të kufizuara kanë përfituar nga subvencionet kombëtare dhe 7.1 milionë persona me aftësi të kufizuara në zonat rurale janë nxjerrë nga varfëria absolute, shtoi Zhang.