CMG: Pse investitorët e huaj kanë shtuar investimet në Kinë?
2024-02-27 20:47:17


foto nga CFP

Investimet e huaja janë një forcë e rëndësishme për nxitjen e zhvillimit të përbashkët të ekonomisë kineze dhe asaj botërore. Sipas të dhënave të fundit nga pala zyrtare kineze, në janar të këtij viti në Kinë u krijuan 4588 ndërmarrje të reja me investime të huaja, me një rritje prej 74.4 për qind në krahasim me janarin e vjetshëm.

Pavarësisht nga luhatjet në vlerën e përgjithshme të investimeve të huaja në Kinë këtë janar, vendet e zhvilluara të Perëndimit i shtuan investimet e tyre në Kinë. Ndër to, investimet nga Franca dhe Suedia u rritën përkatësisht 25 dhe 11 herë, ndërsa investimet reale në Kinë nga Gjermania, Australia e Singapori u shtuan përkatësisht 211.8, 186.1 dhe 77.1 për qind.

"Pse ndërmarrjet e huaja kanë shtuar investimet e tyre në Kinë?" pyetet në një artikull të Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

Grupi britanik HSBC i ofroi CMG-së rezultatet e një sondazhi, nga i cili del se 87 për qind e ndërmarrjeve të huaja që morën pjesë në këtë sondazh, u shprehën se do të zgjerojnë shërbimet në Kinë, për shkak se ekonomia kineze është rimëkëmbur vazhdimisht dhe Kina ka epërsinë e tregut kolosal dhe të zinxhirit të integruar të furnizimit. Sipas këtyre ndërmarrjeve, epërsitë e Kinës në manifakturë, në përmasën e tregut të konsumit, në ekonominë digjitale dhe në mundësitë e zhvillimit të vazhdueshëm janë faktorët nxitës për shtimin e investimeve në këtë vend.

foto nga CFP

Ndërmarrjet e 500-së gjermane u vendos në zonën e teknologjive të reja dhe të larta në qytetin Taicang të Kinës Lindore më 23 janar 2024 /foto nga CFP

Kapitali shkon pas fitimeve, teksa investimet e huaja kanë fituar shumë në Kinë, komentoi CMG-ja në këtë artikull. Gjatë pesë vjetëve të fundit, norma e rentabilitetit të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Kinë ishte afro 9 për qind, duke zënë vendet e para në botë. Duke marrë për shembull grupin HSBC, në artikullin e CMG-së thuhet se falë rritjes së shpejtë të tregut kinez, në vitin 2023 ky grup arriti mbi 1 miliard dollarë amerikanë fitime në Kinë.

Kompania kanadeze "Canada Goose" ka shtuar vazhdimisht investimet në Kinë dhe ka krijuar këtu rrjetin e shitjes me pakicë më të madh në botë. Në tremujorin e katërt të vitit 2023, paraqitja e fuqishme e tregut kinez i solli degës së Azi-Paqësorit të kësaj kompanie një rritje të të ardhurave prej 62 për qind.

Po në vitin 2023, dega në Kinë e kompanisë "Siemens" pati rritje të të ardhurave operacionale prej 7 për qind. "Edhe në të ardhmen, do ta vëmë tregun kinez në një pozicion të rëndësishëm," theksoi presidenti i degës në Kinë të "Siemens"-it Wang Hao.

foto nga CFP

Pavijoni i grupit "L’Oréal" në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Imporit në Shangai, më 9 nëntor 2023 / foto nga CFP

Kryeekzekutivi i grupit francez "L’Oréal" Nicolas Hieronimus është i mendimit që Kina ka qenë motori i rritjes së kompanisë së tij gjatë 26 vjetëve dhe gjithashtu burimi i novacionit dhe frymëzimit. Vitin e kaluar, kjo kompani pati rritje prej 5.4 për qind në pjesën kontinentale të Kinës. "Investimi në Kinë është investim për të ardhmen," theksoi Hieronimus.

Mendimet e këtyre sipërmarrësve të huaj nuk janë të veçanta, komentoi CMG-ja. Sipas një raporti të fundit nga Shoqata e Nxitjes së Tregtisë e Kinës, afro 70 për qind e ndërmarrjeve të huaja të pyetura u shprehën optimiste për tregun kinez dhe mbi 90 për qind prej tyre parashikojnë se norma e fitimeve nga investimet në Kinë do të ruhet në nivelin e tanishëm ose do të shtohet në pesë vjetët e ardhshëm.

Ashtu siç i tha CMG-së presidenti i degës së zonës pankineze të grupit francez "Sanofi" Shi Wang: "Jemi gjithmonë optimistë për zhvillimin e ardhshëm të tregut kinez dhe besojmë se potenciali i tij kolosal do të vazhdojë ta nxitë rritjen tonë me novacion." (Wang Lei/ Artan)