Afganistani nis fushatën masive të vaksinimit ndaj poliomielitit
2024-02-27 15:44:37

Vaksina e poliomielitit (Foto Msn)

Vaksina e poliomielitit (Foto Msn)

Afganistani nisi të hënën një fushatë të re vaksinimi ndaj poliomielitit që synon mbrojtjen e rreth 7.6 milionë fëmijëve nën moshën 5 vjeç, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, citon “ATSH”.

Sipas ministrisë, fushata do të zgjasë 4 ditë në 21 nga 34 provincat e vendit.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë u kërkoi dijetarëve fetarë dhe më të vjetërve vendas që të bashkëpunojnë me ofruesit e vaksinave për të luftuar kundër poliomielitit, një sëmundje infektive që mund të shkaktojë paralizë dhe të çojë në vdekje.

Në dhjetor, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se riatdhesimi i emigrantëve nga Pakistani fqinj kishte rritur rrezikun e përhapjes së virusit.

Që atëherë, vendi ka kryer të paktën dy raunde vaksinash mbarëkombëtare.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fushatat e vaksinimit në Afganistan dhe Pakistan shpesh hasin vështirësi për shkak të teorive konspirative.

Përpara se të merrnin pushtetin e të gjithë vendit në gusht 2021, talebanët kishin ndaluar vaksinimet në zonat që ata kontrollonin. Por, Kombet e Bashkuara negociuan me sukses me ta për të rifilluar programin e vaksinimit në të gjithë vendin pas kthimit të tyre në pushtet. (Fatosi)