Studiuesit identifikojnë provat e para të përshpejtuesit të super-rrezeve kozmike
2024-02-26 21:09:09

nga CMG

Kërkimtarët kinezë kanë zbuluar për herë të parë një strukturë gjigande flluskore rrezesh gama me energji ultra të lartë në Rrugën e Qumështit, duke zbuluar origjinën e rrezeve kozmike me energji më të lartë se 10 Peta-Elektronvolt (PeV), sipas studimit të botuar në revistën "Buletini shkencor" të hënën. 

Rrezet kozmike janë grimca me ngarkesë nga hapësira dhe origjina e tyre është një nga çështjet më të rëndësishme shkencore në astrofizikën bashkëkohore. 

Kërkuesit nga Instituti i Fizikës së Energjisë së Lartë i Akademisë së Shkencave të Kinës (CAS), duke përdorur Observatorin e Madh  të Rrymave të Ajrit në Lartësi të Mëdha (LHAASO) të Kinës, zbuluan strukturën gjigante në formë flluske në rajonin yjeformues  Cygnus. 

Brenda flluskës, hulumtuesit gjetën fotone të shumta me sasi energjie që i kalon 1 PeV, më e larta nga të cilat arrin në 2.5 PeV.

Kjo tregon "praninë e një përshpejtuesi të super-rrezeve kozmike brenda flluskës, i cili përshpejton vazhdimisht grimcat e rrezeve kozmike me energji të lartë deri në 20 PeV dhe i injekton ato në hapësirën ndëryjore," thanë kërkuesit. "Ky është përshpejtuesi i parë i super-rrezeve kozmike i identifikuar deri tani," i tha CGTN-it Cao Chen, kryeshkencëtari i LHAASO-s dhe anëtar i CAS-it. 

Cao tha se ky zbulim do të ishte "thjesht e pamundur" pa LHAASO, i cili ka një ndjeshmëri jashtëzakonisht të fortë, që i mundëson  të shohë nga vijnë rrezet kozmike dhe të vëzhgojë mënyrën e përhapjes së tyre. 

LHAASO, i vendosur në një lartësi prej 4 410 metrash në kontenë Daocheng në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore, është një objekt i rëndësishëm kombëtar shkencor dhe teknologjik që përqendrohet në studimin e rrezeve kozmike. 

Në qershorin e kaluar, ky observator zbuloi shpërthimin e rrezeve gama "më të ndritshëm në të gjitha kohët".

"Me kalimin e kohës, LHAASO pritet të gjurmojë përshpejtues të tjerë të super-rrezeve kozmike dhe shpresojmë se do të zgjidhë misterin e origjinës së rrezeve kozmike në Rrugën e Qumështit," u shpreh Cao.