Banka Qendrore Europiane shënon humbjen e parë vjetore që nga viti 2004
2024-02-25 17:46:20

Eurozona (Foto Nbcnews)

Eurozona (Foto Nbcnews)

Për herë të parë që nga viti 2004, Banka Qendrore Europiane njoftoi një humbje vjetore për vitin 2023 pas pothuajse dy dekadash fitimesh të konsiderueshme. Banka raportoi një humbje prej afro 1.3 miliardë euro (1.4 miliardë dollarë amerikanë) vitin e kaluar pas çlirimit të 6.6 miliardë eurove nga provizionet për rreziqet financiare, u bë e ditur në një njoftim për shtyp, cituar nga “Xinhua”.

BQE-ja njoftoi se humbja pasqyron veprimet e nevojshme të politikës monetare të Eurosistemit në luftën kundër inflacionit të lartë me shumë rritje të njëpasnjëshme të normave të interesit që nga korriku 2022.

Që nga tetori i vitit të kaluar, tre normat bazë të interesit janë mbajtur në nivele të larta historikisht. Rritja e normave bazë të interesit rriti shpenzimet e interesit për detyrimet me normë të ndryshueshme të BQE-së, por të ardhurat nga aktivet nuk u rritën në të njëjtën masë ose me të njëjtin ritëm, pasi shumë prej tyre kishin norma interesi fikse dhe maturime të gjata, duke rezultuar në një humbje, sipas BQE-së.

BQE-ja zotohet të përmbushë në mënyrë efektive mandatin e saj kryesor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, pavarësisht nga çdo humbje e shkaktuar.  (Irma)