Presidenti i Kinës dhe ai i Republikës së Kongos shkëmbejnë urime për 60-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike
2024-02-23 11:33:24

foto nga CFP

foto nga CFP

Presidenti i Kinës Xi Jinping shkëmbeu të enjten mesazhe urimi me homologun e tij të Republikës së Kongos Denis Sassou Nguesso, me rastin e 60-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, duke premtuar që do të përpiqet bashkë me Sassou-n për nxitjen e partneritetit strategjik dypalësh.

Në mesazhin e tij të urimit, Xi tha se gjatë 60 vjetëve, të dyja vendet, pavarësisht nga ndryshimet në situatën ndërkombëtare, janë përpjekur vazhdimisht për bashkëpunim të sinqertë e zhvillim të përbashkët. Gjatë këtij procesi, të dyja palët janë bërë miq të mirë, me besim të ndërsjellë politik, dhe partnerë të mirë për bashkëpunimin ekonomik me përfitime të përbashkëta.

Vitet e fundit, shkëmbimet e shpeshta midis dy vendeve, thellimi i vazhdueshëm i besimit politik të ndërsjellë dhe përparimi i qëndrueshëm i bashkëpunimit praktik u kanë sjellë përfitime thelbësore të dy popujve, gjë që është një pasqyrim i gjallë i frymës së bashkëpunimit miqësor ndërmjet Kinës dhe Afrikës, shtoi Xi.

Sassou u shpreh në mesazhin e vet të urimit se gjatë 60 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, popujt e të dy vendeve kanë qenë të bashkuar dhe miqësorë, duke mbështetur aspiratat e përbashkëta për paqe, drejtësi dhe lulëzim. Kjo ka nxitur zhvillimin e shpejtë të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Republikës së Kongos dhe Kinës.

Në bazë të besimit të ndërsjellë dhe përfitimeve të përbashkëta, të dyja palët janë angazhuar në zgjerimin e bashkëpunimit dhe kanë pasur rezultate frytdhënëse, tha Sassou, duke shtuar se ai është i gatshëm të konsolidojë dhe të thellojë më tej bashkëpunimin miqësor ndërmjet Republikës së Kongos dhe Kinës, për të dhënë kontribut për nxitjen e ndërtimit të një bashkësie me fate të  përbashkëta të nivelit të lartë ndërmjet Kinës dhe Afrikës. (Wang Lei/ Artan)