Kina i bën thirrje G20-s t'i vendosë çështjet e zhvillimit në krye të agjendës
2024-02-23 14:23:33

foto nga CFP

Zv.ministri i Jashtëm i Kinës Ma Zhaoxu i bëri thirrje Grupit të 20 Vendeve (G20) t'i vendosë çështjet e zhvillimit në krye të agjendës, gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G20-s, që u zhvillua të mërkurën dhe të enjten në Rio-de-Zhanejro të Brazilit.

Ma tha se G20-a duhet të respektojë sinqerisht misionin e saj origjinal për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, për përmirësimin e mekanizmit të bashkëpunimit të politikave makroekonomike dhe për bashkëpunimin për të çuar përpara reformën e qeverisjes ekonomike botërore.

Për të përballuar sfidat globale, G20-a duhet të ngulë këmbë në multilateralizmin e vërtetë dhe të mbështesë OKB-në dhe Këshillin e saj të Sigurimit në luajtjen e një roli kyç, shtoi ai.

Ma theksoi se koncepti i sigurisë së përbashkët, të gjithanshme, të vazhdueshme dhe në bashkëpunim është një kriter thelbësor për Kinën në trajtimin e çështjeve të pikave të nxehta ndërkombëtare.

Duke vënë në dukje se gjendja në Gazë është jashtëzakonisht serioze dhe paqja e qëndrueshmëria rajonale janë dëmtuar seriozisht, diplomati kinez tha se Këshilli i Sigurimit duhet të mbajë përgjegjësinë e vet sipas Kartës së OKB-së dhe të ndërmarrë veprime sa më shpejt të jetë e mundur për nxitjen e armëpushimit, për dhënien fund të luftës dhe për zbutjen e krizës humanitare.

Kina bën thirrje për një konferencë paqësore në përmasë më të madhe, me më shumë autoritet dhe më efektive, në përpjekje për realizimin e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në Lindjen e Mesme, theksoi zv.kryediplomati i Kinës. (Wang Lei/ Artan)