Samiti Ekonomik Euroaziatik në Stamboll, me fokus në zgjidhjet për rritjen globale
2024-02-23 15:17:24

Samiti i Euroazise (Foto Xinhua)

Samiti i Euroazise (Foto Xinhua)

Samiti i 27-të Ekonomik Euroaziatik filloi të mërkurën në Qendrën Kulturore dhe Financiare në Stamboll të Turqisë, me fokus në zgjidhjet e sfidave në rritjen globale.

I titulluar "Nga krizat në stabilitet, ndërtimi i një bote gjithëpërfshirëse", samiti i organizuar nga Fondacioni i Kërkimeve Strategjike dhe Sociale të Grupit Marmara synon të trajtojë çështje globale si paqja, ndryshimet klimaterike, furnizimi me ujë dhe inteligjenca artificiale, shkruan “Xinhua”.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i dërgoi një mesazh aktivitetit, duke theksuar rëndësinë e tij në një kohë pasigurie të shkaktuar nga krizat në të gjithë globin, veçanërisht pasi konfliktet e vazhdueshme po minojnë ekonominë globale.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në mesazhin e tij theksoi kontributin e samitit në zhvillimin ekonomik të bashkëpunimit rajonal.

Duke folur në hapjen e samitit, Akkan Suver, kreu i fondacionit pritës, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë dialogun dhe bashkëpunimin për të gjetur zgjidhje për krizat botërore. Sipas Suver, bota po përjeton një stuhi konfliktesh, problemesh që lidhen me ndryshimet klimatike dhe stagnimin ekonomik.

“Në këto kushte, nisma kineze “Një brez, një rrugë”, e shtrirë nga Azia në Europë, Afrikë dhe Amerikën Latine, do të ishte udhërrëfyesi ynë për paqen, bashkimin dhe bashkëpunimin”,- tha ai.

Më shumë se 300 figura politike, diplomatë, akademikë dhe njerëz të biznesit nga rreth 40 vende po marrin pjesë në veprimtarinë dyditore. (Irma)