I dërguari kinez: Armëpushimi i menjëhershëm në Gazë është thirrje universale
2024-02-23 16:32:12

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Një i dërguar kinez tha të enjten se armëpushimi i menjëhershëm në Gazë është një thirrje universale e bashkësisë ndërkombëtare dhe konsensusi mbizotërues i anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. 

Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, theksoi se "realizimi i një armëpushimi të menjëhershëm në Gazë është një kërkesë urgjente për të shpëtuar jetë të pafajshme dhe për të parandaluar një luftë në shkallë më të gjerë."

I dërguari tha se Kina ka vënë re që ShBA-ja ka paraqitur një projektrezolutë të re dhe shpreson se Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një qëndrim të përgjegjshëm dhe do të respektojnë konsensusin e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. 

Thelbi i veprimit të Këshillit të Sigurimit duhet të jetë realizimi i menjëhershëm i një armëpushimi dhe sinjalet për këtë duhet të jenë të qarta e të pagabueshme dhe jo të luhatura e të fshehta, i tha ai Këshillit të Sigurimit. 

Gabimet historike që ka vuajtur Palestina duhet të ndreqen dhe aspiratat e Palestinës për shtetësi të pavarur duhet të përmbushen, vuri në dukje më tej përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara. Kina mbështet anëtarësimin e Palestinës në Kombet e Bashkuara sa më shpejt të jetë e mundur dhe kërkon thirrjen e një konference ndërkombëtare paqeje më të madhe, me më shumë autoritet dhe më të efektshme për të nxitur një zgjidhje të gjithanshme, të drejtë dhe të vazhdueshme të çështjes palestineze, shtoi ai.