Presidenti ukrainas dërgon një delegacion në kufirin polak për bisedime rreth protestave
2024-02-23 15:02:54

foto nga CFP

Vizita e kryeministrit të Polonisë Donald Tusk në Ukrainë më 22 janar 2024/ foto nga CFP

Pas disa ditë protestash nga fermerët polakë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të dërgojë kryeministrin Denys Shmyhal dhe anëtarë të tjerë të kabinetit në pikat e bllokuara kufitare për negociata.

“Kjo vlen veçanërisht për ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov”, - tha Zelensky në një fjalim video të publikuar në gjuhët ukrainase dhe polake, bën të ditur “ATSH”.

“Për fat të keq, kjo bllokadë në kufi rrezikon furnizimin me armë për djemtë tanë në front”,- tha ai.

Duke iu drejtuar kryeministrit polak, Donald Tusk, dhe presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, presidenti ukrainas theksoi se kjo është një çështje e sigurisë kombëtare të Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, Zelensky tha se Komisioni Europian duhet të dërgojë gjithashtu përfaqësues në takim. Prej disa ditësh, fermerët polakë janë përpjekur të bllokojnë kamionët që transportojnë grurë ukrainas në kufirin polako-ukrainas. Pakënaqësia e fermerëve polakë drejtohet kundër politikës bujqësore të BE-së, por edhe kundër importit të produkteve bujqësore të lira nga Ukraina. (Irma)