Kryediplomatja gjermane kërkon nga G20 zgjidhje për krizat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme
2024-02-23 15:04:11

Kryediplomatja gjermane (Foto Atsh)

Kryediplomatja gjermane (Foto ATSH)

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u bëri thirrje ekonomive kryesore të G20 që të rrisin përpjekjet për zgjidhjen e krizës në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. “Ne nuk do ta bëjmë këtë botë më të drejtë nëse nuk i marrim nën kontroll krizat akute”,- tha Baerbock gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të G20-s në Rio de Zhaneiro, Brazil, citon “ATSH”. 

Të dy konfliktet pritet të luajnë një rol të madh në takim, i cili vjen vetëm disa ditë para përvjetorit të dytë të nisjes së konfliktit në Ukrainë. “Efektet e këtyre dy luftërave po godasin më së shumti njerëzit më të varfër në mbarë botën”, - shtoi Baerbock. “Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që G20, përveç çështjeve të drejtësisë, mbrojtjes së klimës dhe luftës kundër varfërisë, të kërkojë mënyra për të arritur paqen në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme”,- shtoi ajo. Së bashku, grupi G20 i ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim përfaqëson rreth 80% të prodhimit ekonomik të botës dhe 60% të popullsisë në botë. Brazili aktualisht mban presidencën. (Irma)