Bosnjë-Hercegovina pret hapjen e negociatave të pranimit me BE-në në mars
2024-02-22 15:00:15

BE-ja (Foto Fico,,com)

BE-ja (Foto Fico,,com)

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës (BiH), Borjana Kristo, shprehu besimin se negociatat e pranimit të vendit në Bashkimin Europian do të hapen në mars, shkruan “Xinhua”.

“Jam e bindur se BE-ja, duke marrë parasysh në radhë të parë rezultatet tona, por edhe përpjekjet e bëra deri tani dhe progresin e arritur, do të hapë negociatat për ne në mars”,- tha Kristo në një takim me anëtarët e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në Bruksel.

BE-ja i dha statusin e kandidatit vendit ballkanik në dhjetor 2022 dhe vendosi në dhjetor 2023 se do të hapte negociatat e pranimit, pasi të arrihej shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit.

“Përparimi i bërë në 2023-shin vazhdoi në 2024-n me një ritëm të përshpejtuar dhe Këshilli i Ministrave i Bosnjë-Hercegovinës ka bërë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e 14 prioriteteve kryesore”,- tha Kristo.

Në vitin 2016, Bosnjë-Hercegovina paraqiti kërkesën për t'u anëtarësuar në BE, e cila u miratua nga Komisioni Evropian në vitin 2019, me 14 reforma prioritare që vendi duhet të përmbushte.

Sipas Kristos, politika e jashtme dhe e sigurisë e Bosnjë-Hercegovinës është për herë të parë 100 për qind në përputhje me atë të BE-së.

Lidhur me reformën legjislative, ajo theksoi rëndësinë e veçantë të amendamenteve në ligjin zgjedhor të vendit dhe një reformë gjithëpërfshirëse të legjislacionit zgjedhor për demokracinë dhe transparencën e procesit zgjedhor.

Pasi të përfundojnë negociatat e anëtarësimit, Komisioni Europian do të japë mendimin e tij nëse kandidati është i gatshëm të bëhet një shtet anëtar. (Elona)