OKB do të japë 100 milionë dollarë ndihmë humanitare urgjente për shtatë vende
2024-02-22 10:31:29

foto nga CFP

foto nga CFP

Fondi Qendror i Përgjigjes ndaj Emergjencave i OKB-së (CERF) akordoi 100 milionë dollarë amerikanë për të forcuar përpjekjet e ndihmave në shtatë vende të pafinancuara në mënyrë kritike në Afrikë, Amerikë dhe Lindjen e Mesme.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), cituar nga “Xinhua”, Republika Demokratike e Kongos (DRC), Sudani dhe Siria janë prioritetet kryesore, ku secila marrin nga 20 milionë dollarë.

Ky financim synon të ndihmojë të prekurit nga konflikti i vazhdueshëm në lindje të Kongos, të mbështesë popullatat e zhvendosura në Sudan për shkak të konfliktit dhe të ndihmojë individët në Siri të ndikuar nga armiqësitë.

Çadi do të marrë 15 milionë dollarë për të ndihmuar refugjatët dhe grupet e tjera të cenueshme. Fondet e mbetura i ndahen Nigerit (10 milionë dollarë), Libanit (9 milionë dollarë) dhe Hondurasit (6 milionë dollarë) për të mbështetur nevojat e tyre përkatëse humanitare.

“Alokimi i ri është ndër më të voglat në vitet e fundit për krizat më pak të financuara në botë. Kjo pasqyron fondet e reduktuara që mori CERF në vitin 2023, më e ulëta që nga viti 2018, dhe realitetin e tmerrshëm që financimi i donatorëve nuk po arrin të përballojë nevojat humanitare në rritje”,- bëri të ditur OCHA-ja.

Sipas organizatës humanitare, kostoja për të mbështetur 250 milionë njerëz të prekur nga konfliktet, fatkeqësitë natyrore, sëmundjet dhe krizat e tjera vitin e kaluar u rrit në 56.7 miliardë dollarë amerikanë, një rekord i lartë. Megjithatë, organizata bën të ditur se është marrë më pak se 40 për qind e atij financimi. “Ky fond emergjence do të ndihmojë në mbështetjen e shpëtimit humanitar për njerëzit që përballen me krizat më të këqija në botë. Me donacionet në nivelin e tyre më të ulët në vitet e fundit, ndikimi i CERF për shpëtimin e jetës po përballet me një sfidë serioze”,- deklaroi koordinatori i Ndihmës Emergjente të OKB-së, Martin Griffiths, duke theksuar se është e rëndësishme që shtetet anëtare të ofrojnë financim të plotë dhe në kohë për CERF.

OCHA-ja bëri të ditur se nevojat humanitare pritet të vazhdojnë të rriten në vitin 2024.

“Alokimi i CERF është thelbësor për të rritur ndihmën dhe për të nxitur mbështetjen e mëtejshme të donatorëve për disa nga krizat më të zgjatura dhe më të neglizhuara në botë. Financimi i ri do të forcojë gjithashtu partneritetet me organizatat lokale dhe do të rrisë llogaridhënien”,- bëri të ditur OCHA-ja. (Elona)