Kryediplomati kinez e nxit Francën të ndihmojë në zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE
2024-02-21 16:40:56

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Pala kineze shpreson se Franca do të vijojë të luajë rol konstruktiv në zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të lidhjeve Kinë-BE, i tha të martën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi presidentit francez Emmanuel Macron gjatë takimit në Pallatin "Elize".

Wang theksoi që Kina do të vazhdojë të hapë tregun e vet për të gjitha vendet, duke përfshirë Francën, dhe shprehu shpresën se edhe pala franceze do të krijojë një mjedis të drejtë e të barabartë biznesi për kompanitë kineze në Francë.

Gjendja e tanishme ndërkombëtare karakterizohet nga trazirat e shpeshta, çështjet e ndërlikuara të pikave të nxehta, rimëkëmbja e ngadaltë e ekonomisë botërore dhe sfidat e ndryshme, u shpreh kreu i diplomacisë kineze, duke theksuar se Kina dhe Franca, si vende të mëdha të pavarura e autonome dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duhet të forcojnë bashkërendimin strategjik e bashkëpunimin, si edhe duhet të japin ndihmesën e tyre për paqen dhe qëndrueshmërinë globale. 

Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu gatishmërinë për të punuar me palën kineze për të përgatitur shkëmbimet e nivelit të lartë gjatë këtij viti dhe tha se shpreson që të dy vendet do ta shfrytëzojnë Dialogun Strategjik Francë-Kinë si një mundësi për të çuar më tej përpara marrëdhëniet e qëndrueshme dhe të ngushta dypalëshe. 

Ai theksoi se Franca ndjek me vendosmëri politikën e "Një Kine" dhe është e gatshme të forcojë bashkërendimin strategjik me palën kineze për të mbrojtur së bashku paqen dhe qëndrueshmërinë midis sfidave globale.