Kina kërkon forca të reja prodhuese
2024-02-21 16:26:11

Kina është në zgjerim të veprimtarisë së saj ekonomike në të tëra fushat, industri, bujqësi, dhe shërbime dhe specifikisht Kina po bën përparime të dukshme në fusha të tilla si mënyrat e reja të prodhimit të energjisë, robotika industriale, kuantika kompjuterike, etj.

Duket se Kina ofron një model ku do zhvillohen lloje të reja të industrive, paralelisht me përshkallëzimin e investimeve dhe të rritjes së produktivitetit në sektorët tradicionalë.

Në fillim të shkurtit, lidershipi kinez paraqiti idenë për zhvillimin e forcave të reja prodhuese, që mbështeten në inovacion, për të realizuar një zhvillim me cilësi më të lartë.

Në një sesion studimi në grup të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, udhëheqësi Xi Jinping, tha: “Zhvillimi i forcave të reja prodhuese është kërkesa e brendshme dhe një fokus i rëndësishëm i promovimit të zhvillimit me cilësi të lartë dhe është e nevojshme të vazhdohet të përdoret mirë inovacioni për të shpejtuar zhvillimin e këtyre forcave të reja prodhuese”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Edhe pse ka konsensus të gjerë në gjirin e Partisë Komuniste të Kinës dhe në shoqërinë kineze, në lidhje me inovacionin, Xi Jinping theksoi nevojën e një teorie të re produktiviteti. “Produktiviteti i avancuar, që vjen duke i dhënë inovacionit rolin kryesor, orientohet nga mënyrat moderne të rritjes ekonomike, dhe kjo rrugë kërkon teknologji të lartë, efikasitet të lartë dhe cilësi të lartë, që përbën themelet e një filozofie të re zhvillimi, duke lënë pas mënyrat tradicionale të rritjes ekonomike, që fokusoheshin vetëm dhe thjesht në shfrytëzimin ekstensiv të tokës, punës dhe kapitalit”, tha ai në këtë takim.

Duket se kjo filozofi e re mbështetet në forcat e reja prodhuese, që udhëhiqen nga përparimet revolucionare teknologjike, nga shpërndarja inovative e faktorëve të prodhimit dhe transformimi e përmirësimi i thellë industrial, duke patur konotacion bazë përmirësimin e punonjësve, mjeteve të punës, subjekteve të punës dhe kombinimin optimal të tyre, që sjellin një rritje të konsiderueshme të produktivitetit të faktorëve të prodhimit në tërësi.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në takim u theksua se “besimi në shkencë dhe teknologji, kombinuar me origjinalitetin dhe gjetjen e zgjidhjeve unike, për të avancuar në teknologjitë thelbësore në fushat strategjike, sjell zgjerimin, sofistikimin dhe perfeksionimin e sektorëve të ekonomisë, zinxhirëve të furnizimit dhe zinxhirëve industrialë. Transformimi dhe përmirësimi i industrive tradicionale, nxitja e industrive në zhvillim dhe fokusimi te industritë e së ardhmes sjellin një sistem industrial modern dhe në përmirësim të vazhdueshëm.

Integrimi sa më i madh i ekonomisë digjitale në atë reale, qasja për krijimin dhe mbështetjen e grupimeve industriale digjitale, konkurrues në arenën ndërkombëtare dhe përshpejtimi i transformimit të gjelbër, duket se janë në themelet e modelit të ri të rritjes, që synon thellimin e mëtejshëm të reformës, për të formuar një lloj të ri marrëdhëniesh prodhimi, shpërndarjeje dhe rishpërndarjeje, të përshtatshme për zhvillimin e forcave të reja prodhuese.

Foto:VCG

Foto:VCG

Manazhimi shkencor dhe avancimi teknologjik, si themele për thellimin e reformave në sistemin ekonomik në tërësi, mbështesin zhvillimin e forcave të reja prodhuese dhe krijimin e një tregu me standarde të larta dhe, kjo kërkon që arsimi, shkenca, teknologjia dhe talentet të zhvillohen në përputhje me kërkesën për zhvillimin e forcave të reja prodhuese dhe kjo kërkon zhvillimin, përmirësimin dhe perfeksionimin e mekanizmave të trajnimit, menaxhimit dhe shtimit të fluksit të talenteve, që tashmë Kinës nuk i mungojnë.