Blinken vlerëson Shqipërinë pas vizitës në Tiranë: Partner i vjetër i SHBA-së dhe aleat i NATO-s
2024-02-21 12:50:42

Sekretari Blinken (Foto ATSH)

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një postimi në rrjetet sociale, ndau detaje në lidhje me vizitën e tij në Tiranë më datë 15 shkurt, ku u shpreh se Shqipëria mbetet partner i vjetër i SHBA-së dhe aleat i NATO-s.

Blinken vlerësoi ndihmën e Shqipërisë për popullin afgan, duke theksuar se kjo tregon humanizmin dhe traditën e popullit shqiptar për të strehuar ata që kanë nevojë, citon “ATSH”.

“Javën e kaluar bëra udhëtimin tim të parë si Sekretar në Shqipëri, një partner i vjetër i SHBA-së dhe aleat i NATO-s, dhe më pas iu bashkova zv.presidentes Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Në Shqipëri, me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama diskutova mbështetjen tonë për rrugën e saj drejt BE-së, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”,- shkroi Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se është takuar po ashtu edhe me ekipin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, që punon çdo ditë në prioritetet kryesore të politikës së jashtme, duke përfshirë rivendosjen e mijëra aleatëve afganë.

“Ndihma e Shqipërisë në këtë përpjekje mishëron humanizmin dhe traditën e saj të rrënjosur thellë për t’u kujdesur dhe për të strehuar personat në nevojë”,- u shpreh ai.

“Në Mynih u angazhova me liderë globalë për të nënvizuar mbështetjen tonë për Ukrainën, për të diskutuar punën tonë për të arritur paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj sigurisë transatlantike”,- vijoi Blinken. (Elona)