ISA: Gërmimet nëndetare janë të pashmangshme
2024-02-20 15:53:32

Deti (Foto Rtsh)

Nxjerrja e mineraleve të çmuara poshtë oqeaneve mund të kthehet së shpejti në realitet, deklaroi shefi i Autoritetit Ndërkombëtar për Shtratin Detar (ISA), Michael Lodge, raporton “RTSH”.

Sekretari i përgjithshëm i organizatës së OKB-së deklaroi në një intervistë televizive se niveli i interesit për gërmimet në det të thellë ka arritur nivele që nuk ishin parë prej viteve 1970.

“Teknologjia ka avancuar dhe duket e mundur. Kërkesa për minerale po rritet në mënyrë eksponenciale dhe do vazhdojë të rritet”,- tha Lodge.

ISA po përgatitet të rifillojë bisedimet për gërmime nëndetare në Kingston të Xhamajkës.

ISA është themeluar 30 vite më parë dhe mbikëqyr veprimtaritë e gërmimeve nënujore në një zonë që mbulon rreth 54 për qind të oqeaneve të botës.

Grupi përbëhet nga 168 shtete anëtare, mes tyre edhe Shqipëria që nga viti 2003, Bashkimi Europian, por jo SHBA-ja.

Deri më tani, 24 shtete nga e gjithë bota kanë bërë thirrje për një moratorium të gërmimeve nënujore, ndërsa ndërmarrjet shumëkombëshe si “Google”, “Samsung” dhe “Volvo” janë zotuar se nuk do të përdorin asnjë mineral që vjen nga shtrati i detit. (Fatosi)