Presidenti amerikan fajëson Kongresin për humbjen e Ukrainës në Avdiivka
2024-02-19 14:42:23

Presidenti amerikan (Foto 360grade.al)

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, fajësoi Kongresin amerikan për tërheqjen e trupave ukrainase nga Avdiivka në Ukrainën lindore, duke thënë se mosveprimi në kohë çoi në këtë disfatë, shkruan “ATSH”.

“Ushtria ukrainase u detyrua të tërhiqej nga Avdiivka pasi ushtarëve ukrainas iu desh të raciononin municione për shkak të pakësimit të furnizimeve prej mosveprimit të Kongresit, duke rezultuar në fitimet e para të dukshme të Rusisë në muaj”, njoftoi Shtëpia e Bardhë pas një telefonate mes presidentit Biden dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Biden e siguroi edhe një herë Zelensky-n për mbështetjen e SHBA-së dhe theksoi nevojën urgjente që Kongresi të autorizojë një paketë të re ndihme për Ukrainën”,- bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Pas vonesave të gjata, Senati amerikan miratoi së fundmi planet për ndihmë të re për Ukrainën me vlerë rreth 60 miliardë dollarë.  (Fatosi)